Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me sistemin ETIAS, duke sqaruar se shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave, si Shqipëria, do të vijojnë të udhëtojnë pa viza në BE, por thjesht do t’u kërkohet që të marrin një autorizim on line para udhëtimit të tyre. Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat deklaroi se nuk kemi një rikthim të vizave, sipas tij, ETIAS ka për qëllim përforcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e migrimit të parregullt.
Pas lajmeve të publikuara së fundmi për rikthimin e vizave për shqiptarët, ka reaguar Bashkimi Evropian, i cili sqaron se autorizmi ETIAS (Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet) nuk është një vizë. Bashkimi Evropian deklaron se ETIAS-i është një sistem i automatizuar IT, aktualisht në fazën e zhvillimit dhe nuk është ende në përdorim. Ai pritet të fillojë nga funksionimi në fund të vitit 2022. Ndërsa theksohet se ETIAS do të përdoret nga shtetas të 62 vendeve, përfshirë Shqipërinë, SHBA-në, Kanadanë apo Australinë. “Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave, si Shqipëria, do të vijojnë të udhëtojnë pa viza në BE, por thjesht do t’u kërkohet që të marrin një autorizim nëpërmjet ETIAS-it para udhëtimit të tyre.
Autorizimi për udhëtimet ETIAS nuk rivendos detyrimet që kërkohen për vizat. Nuk ka nevojë të paraqiteni në një konsullatë për të bërë një aplikim dhe nuk merret asnjë e dhënë biometrike. Aplikimi on line ETIAS plotësohet brenda vetëm pak minutave. I vetmi dokument që do t’ju nevojitet për të aplikuar në ETIAS është pasaporta e vlefshme. Kostoja për të marrë një ETIAS është 7€ për person, ndërsa personat nën moshën 18 vjeç përjashtohen nga pagesa e kësaj tarife”, deklaron Bashkimi Evropian, teksa thekson se autorizimi ETIAS është i vlefshëm për tre vjet, për një numër të pakufizuar hyrjesh në të gjitha vendet e zonës Shengen, nëse nuk qëndron më shumë se 90 ditë në një periudhë prej 180 ditësh.
Kryeministri Edi Rama
Në një konfererëncë për mediat, kryeministri Edi Rama, ka folur për sistemin ETIAS, duke theksuar se është një sistem që ka qëllim të ndalojë personat që kanë kartelë kriminale dhe rezultojnë të lidhur me terrorizmin apo krimin e organizuar. Rama theksoi se ky nuk është një kthim pas dhe as një vizë, por ka për qëllim përforcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e migrimit të parregullt. ” Ka që në 2016 që flitet për këtë, por gjithsesi nuk bëhet fjalë për ndonjë kthim pas, por për një sistem sigurie të BE-së, për të gjitha shtetet jo anëtare të BE-së që nuk kanë nevojë për vizë. Nuk është kthim mbrapa tek VIZA, siç me siguri do të predikohet nga të gjithë ata që duan të përhapin erën e pusetës digjitale në Gjirin e Lalzit. Është një masë që pritet se kur do bëhet. Është thjesht një filtër në funksion të politikës së sigurisë së BE-së kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Rama.
Një tjetër reagim ka ardhur edhe nga ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili në një prononcim për mediat u shpreh se lajmi për rikthimin e vizave për shqiptarët është i pavërtetë. Ai theksoi se nuk bëhet fare fjalë për rikthim të vizave apo për plotësim të formularëve të vizave, por për plotësimin e një formulari on line, i cili do të gjenerojë autorizimin për udhëtim brenda pak minutash. Sipas tij, kjo praktikë do të aplikohet edhe në shtete të tjera, ndërsa pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2023. “Të gjithë shtetasit shqiptarë ta kenë parasysh një gjë fare qartë dhe mirë: Nuk do të ketë rikthim vizash për ta dhe ata do të mund të lëvizin lirshëm, pa asnjë pengesë në të gjithë hapësirën e Bashkimit Evropian, ashtu siç bëjnë sot. Çdo përpjekje për të interpretuar zbatimin e sistemit ETIAS si rikthim vizash për Shqipërinë, ose dështim i Shqipërisë në rrugën evropiane, është thjesht i pasaktë, thënë në mënyrën më të butë të mundshme”, u shpreh Cakaj, teksa nënvizoi se kjo mbetet një çështje e hapur, pasi Bashkimi Evropian diskuton zbatimin e sistemit ETIAS që prej vitit 2016.
62 vendet shtetasit e të cilave duhet të marrin autorizimin ETIAS:
Shqipëria
Antigua dhe Barbuda
Argjentina
Australia
Bahamasi
Barbadosi
Bosnjë-Hercegovina
Brazili
Brunei
Kanadaja
Kili
Kolumbia
Kosta Rika
Dominika
Salvadori
Xhorxhia
Grenada
Guatemala
Hondurasi
Hong Kongu
Izraeli
Japonia
Kiribati
Makao
Malajzia
Ishujt Marshall
Mauritius
Meksika
Mikronezia
Moldavia
Mali i Zi
Nauru
Zelanda e Re
Nikaragua
Maqedonia e Veriut
Palau
Panamaja
Paraguai
Peruja
Saint Kitts dhe Nevis
Shën Lucia
Shën Vincenti
Samoa
Serbia
Sishel
Singapori
Ishujt Solomon
Koreja e Jugut
Tajvani
Timori Lindor
Tonga
Trinidad dhe Tobago
Tuvalu
Ukraina
Emiratet e Bashkuara Arabe
Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Uruguaji
Vanuatu
Venezuela