Bashkia e Vorës dhe ajo e Lezhës do të marrin secila fondin përkatës për rikonstruksionin e shtëpive dhe apartamenteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Kështu, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar dje, dy bashkitë do të marrin në total 253. 463. 855 lekë të reja për “financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.”
VENDIMI
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 253 463 855 (dyqind e pesëdhjetë e tre milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në bashkitë Vorë dhe Lezhë.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Vorë dhe Lezhë, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Vorë i transferohet fondi prej 35 550 000 (tridhjetë e pesë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para;
b) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi prej 217 913 855 (dyqind e shtatëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh, për financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat).
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Vorë dhe Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.