Rrok Peoaj, babai i Daniel Pepajt është vënë në pranga një ditë pas gjetjes së trupave të dy të rinjeve, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj. Mësohet se Pepaj, është vënë në pranga mëngjesin e sotëm. Policia e Shkodrës ka mbërritur në familjen e Pepajt që është ngujuar prej ditës se djeshme, për të vënë në pranga kryefamiljarin.
Djali i tyre Danieli është shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë.
Dinamika e ngjarjes
Dje pas 6 ditësh u gjetën trupat e pa jetë të dy të rinjve, Klement Pepajt dhe Vilson Çutajt, ngjarje tronditëse e cila dyshohet të ketë nisur pas një konflikti të ashpër për çështje që lidhen me kultivimin e kanabisit në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe. I dyshuari kryesor për vrasjen e të rinjve është Danjel Pepaj, i cili nga të dhënat mësohet të ketë qëlluar gjakftohtësish drejt kushëririt të tij Klement Pepaj dhe shokut të tij Vilson Cutaj, pas një sherri për parcelat e kanabisit. Ndërkohë, zbulohet se tek parcela me kanabis e Danjel Pepajt në zonën malore të Vrithit i ka çuar pikërisht vetë babai i tij, Rrok Pepaj, i cili ishte ngujuar pak më parë prej të birit dhe ultimatumit nga familjet e viktimave.
Ndërsa, referuar dinamikës së ngjarjes nga të dhënat e banorëve dhe grupeve hetimore, mësohet se filli i kësaj historie nis teksa Danjel Pepaj, 1 ditë para raportimit të zhdukjes së tyre, pas një sherri, është rrahur shumë keq nga Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj në Bajzë, teksa këta të fundit e akuzonin se kishte vjedhur një sasi kanabisi e cila u përkiste atyre. Në kushtet e torturave fillimisht Danjel Pepaj mendohet të ketë mohuar se është ai autori i vjedhjes së parcelave me kanabis, por më pas është detyruar që të thotë “po”. Pas sherrit, nga Bajza janë nisur drejt Vrithit duke iu ngjitur malit ndërsa atje Danjel Pepaj dyshohet se ka marrë një armë të fshehur dhe i ka qëlluar të dy personat që e kanë rrahur më përpara.
Ndërsa referuar burimeve nga fshati Vrith tregojnë se nuk është vjedhur vetëm parcela e Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj, por edhe dy parcela të tjera që kanë qenë aty afër. Mësohet se Danjel Pepaj ka patur parcelën e tij me kanabis ndërsa Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dyshohet se kanë patur një tjetër veçmas. Ndërkohë, pas dyshimeve se mund t’i ketë qëlluar Danjel Pepaj dyshohet se ka telefonuar vëllanë e tij që ndodhet në Itali duke i treguar se çfarë ka ndodhur dhe duke i thënë se “njërin e kam qëlluar në ballë direkt ndërsa për tjetrin nuk e di nëse ka vdekur apo jo”. Vëllai i tij dyshohet se i është përgjigjur duke i thënë “spostohu 30 metër dhe qëllo edhe veten se nuk ke çfarë bën më”.
Më pas Danjel Pepaj ka zbritur nga mali dhe dyshohet se ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka ndërruar rrobat. Më pas një person ka dyshime se e ka shoqëruar nga banesa deri në Zagorë. Aty Danjel Pepaj i ka kërkuar një tjetër personi që ta çojë me makinë drejt Kastratit në Malësinë e Madhe duke paguar një shumë më të madhe parash për këtë rrugëtim që nuk është e zakonshme.