MENU
klinika

ANALIZA E BBC

Pse Trump do që Sudani ‘të miqësohet’ me Izraelin?

09.10.2020 - 19:42

Sudani është një vend i cili ndodhet në një gjendje të dëshpëruar, ka një ekonomi që po shkon drejt kolapsit dhe ndodhet në krizë ushqimore mbarëkombëtare.

Në gjithë këtë administrata e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe qeveria Izraelite shohin një mundësi.

Shpresat për demokraci në këtë vend janë në fije të perit pasi protestat jo të dhunshme përmbysën sundimtarin e tyre prej kohësh, Omar al-Bashir.

Por nëse Sudani e njeh Izraelin, atëherë SHBA do ta heqë atë nga lista e nxitësve të terrorit, duke i hapur kështu mundësinë për stabilitet ekonomik.

Është një histori e ndërlikuar e cila daton 30 vjet më parë nga ditët e fillimit të qeverijes islamike të Sudanit.

Pasi mori pushtetin me një grusht shteti ushtarak në 1989, Presidenti Bashir e ktheu Khartoum në një qendër globale për xhihadizmin militant.

Al-Kaeda dhe grupe të tjera ekstremiste përdorën Sudanin si bazë për kryerjen e sulmeve terroriste në SH.B.A., Arabi Saudite, Egjipt, Etiopi, Ugandë, Kenia etj.

Pas sulmit të parë terrorist në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York në 1993, SH.B.A. e futi Sudanin në listën e shteteve që nxisin terrorizmin.

Bashkëpunimi i CIA-s.

Sanksionet financiare ndërkombëtare dhe presioni ushtarak nga vendet fqinje të cilat mbështesnin rebelët e Sudanit e shtynë këtë vend të dëbonte Osama bin Laden dhe xhihadistët e tjerë tre vjet më vonë.

Menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, shërbimet e sigurimit të Sudanit u lidhën në bashkëpunim me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA).

Prej këtij momenti Sudani duhej të ishte hequr nga lista e vendeve që nxisnin terrorizmin.

Por anëtarët e Kongresit amerikan u treguan armiqësorë me Khartoum për një mori arsyesh të tjera, përfshirë luftën në Darfur dhe abuzimet me të drejtat e njeriut.

Dhe qeveria e Bashir ende operonte në hije: Ajo vijoi lidhjet e saj me Iranin dhe Hamasin, dhe të paktën në dy raste aeroplanët luftarakë izraelitë sulmuan anijet që udhëtonin në brigjet e Detit të Kuq të Sudanit, duke pretenduar se merrnin armët në Hamas.

Në 2016, nën presion nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, qeveria e Bashir ndërpreu lidhjet e saj me Iranin.

Megjithatë, pas revolucionit vitin e kaluar zyrtarët e Departamentit të Shtetit të SHBA ishin të shqetësuar se regjimi i ri demokratik mund të mos zgjaste shumë.

Senatorët ndaluan sërish heqjen e Sudanit nga lista si vend nxitës i terrorit.

Sanksionet ndaj Sudanit janë një dënim i vendit për dështimin e shtetit.

Për sa kohë që Sudani mbetet në listën e zezë, ekonomia shkon drejt rrënimit. Bizneset e ligjshme sudaneze janë të limituara, investimet e huaja ndalohen ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore nuk mund të miratojnë një paketë për të lehtësuar borxhin e saj masiv prej 72 miliardë dollarësh.

Shkalla e urisë sot është e tmerrshme në këtë vend.

Kjo është përkeqësuar nga mbyllja prej Covid-19 dhe nga përmbytjet. Është një krizë që nuk mund të kapërcehet nga shpërndarjet e ushqimit pasi Sudanit i duhet një injeksion i ndihmës ekonomike.

Administrata Trump po i ofron Sudanit një rrugëdalje.

Duke vizituar Khartoum në fund të Gushtit, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i propozoi një marrëveshje Kryeministrit të Sudanit Abdalla Hamdok: Nëse Sudani e njihte Izraelin, Presidenti Trump do pezullonte bllokimin e Kongresit.

Pas vendimit të Emirateve të Bashkuara Arabe muajin e kaluar, Sudani, si anëtar i Lidhjes Arabe, do të ishte shteti i pestë arab që e bën këtë.

Kjo do të ishte një nxitje e madhe për të normalizuar marrëdhëniet arabe me Izraelin në javët para zgjedhjeve.

Njohja e Izraelit do të ishte një hap i rëndësishëm për Sudanin.

F.H.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN