MENU
klinika

Ja çfarë marifetesh përdorin

Nuk jemi qenie racionale dhe ekonomistët e kanë kuptuar…

10.10.2020 - 10:11

Preferoni një mollë sot apo dy nesër? E keni menduar? Ndaluni pak. Tani preferoni një mollë në një vit, domethënë 365 ditë, ose dy mollë në një vit dhe një ditë, domethënë 366 ditë? Ndërsa në pyetjen e parë keni menduar pak dhe pastaj është e mundur që të jeni përgjigjur “një mollë sot”, jemi të sigurt për të dytën: keni zgjedhur dy mollë pa hezitim në 366 ditë. Megjithatë, ndryshimi midis pritjes për mollën e parë dhe të dytë është gjithmonë i njëjti: një ditë. Atëherë, pse, nëse bëhet fjalë për të pritur një vit, ka më pak rëndësi ajo ditë?

Jua themi ne, ose më saktë: Çmimi Nobel në Ekonomi 2017, Amerikani Richard H. Thaler, e tregon kështu. Sepse gjërat nuk kanë të njëjtën vlerë për ne nëse na i japin menjëherë, ose nëse na i premtojnë për kush e di se kur. Dhe i themi vetes “mund të presim edhe një ditë”, nëse kjo ditë është shumë larg në kohë. Në përgjithësi, argumenton Thaler, për ne numrat ndryshojnë kuptimin në varësi të mënyrës sesi na i paraqesin ato, ose si i shohim. Dhe ndodh kështu edhe nëse janë para: pesëdhjetë euro të gjetura rastësisht në tokë i harxhojmë të lumtur, menjëherë dhe pa keqardhje; me pesëdhjetë euro të fituara, ne jemi shumë më të matur. Megjithatë ato mbeten thjesht pesëdhjetë euro.

Nga dita kur shkencëtarët kuptuan që ne sillemi në këtë mënyrë në jetën tonë, e cila nuk është rreptësisht logjike dhe racionale, shumë gjëra kanë ndryshuar. Por nuk ka qenë e lehtë: u deshën disa vjet dhe shumë mendje për të arritur deri këtu, në një çmim Nobel për ekonominë, i cili shpërblen pasi zbulon racionalitetin tonë të papërsosur.

INTELIGJENCA OLIMPIKE

Deri në mes të shekullit të kaluar, në fakt, ekonomistët arsyetonin kështu: nëse ne njerëzit duhet të marrim një vendim (të blini një çantë apo një palë këpucë? Të pranojmë një mollë sot apo të presim dy nesër?)ne numërojmë, peshojmë pro-të dhe kundra-t, dhe bëjmë një zgjedhje të informuar. Krejt logjike. Sidoqoftë, në një moment të caktuar, gjërat filluan të mos kuptoheshin më. Ose më saktë: duke ndjekur këtë ide, ekonomistët nuk mund të parashikonin lëvizjet e tregut, një shenjë që tregonte se nuk ishte tamam e vërtetë që ne njerëzit jemi të parashikueshëm dhe racionalë. Përkundrazi: ne shpesh kënaqemi me pasigurinë, bëjmë zgjedhje të diktuara nga emocionet, lejojmë që të ndikohemi. Dhe ndonjëherë e kuptojmë gabim. Ndër të parët që e kuptuan këtë ishte Herbert Simon: psikolog, një nga baballarët e inteligjencës artificiale, ai e kuptoi shumë mirë se si inteligjenca natyrale nuk është aspak e përsosur.

Ishin vitet 1950 dhe Simon filloi të fliste për “racionalitet të kufizuar”. Për të çështja është se truri duhet t’I bjerë shkurt: nuk humb kohë duke bërë llogaritjet dhe është i kënaqur me vendimin më të mirë për kënaqësinë e tij të menjëhershme, në vend që të ndjekë zgjedhjen më të mirë objektive. Dhe këtu është Çmimi i parë Nobel për ata që thyen të ashtuquajturën ekonomi klasike: ishte viti 1978.

ENOTEKE, APO SUPERMERKATE?

Në ato vite, dy psikologë po mendonin gjithashtu se si ne marrim vendime të caktuara në kokën tonë. Ata quheshin Daniel Kahneman dhe Amos Tversky dhe bënë eksperimente si ky: ta zëmë se duhej të blini një shishe verë; poshtë shtëpisë dyqani i verërave e shet 15 euro, ndërsa nëse bëni një shëtitje 20-minutëshe mund të arrini në supermarketin që e shet për dhjetë Euro. Cfarë do të bëni? Eshtë e mundshme që ju do të vendosni të ecni. Sidoqoftë, po këto 20 minuta, me siguri nuk do t’i harxhoni, nëse bëhet fjalë për të kursyer 5 euro në njëqind ose më shumë për një palë këpucë. Megjithatë janë gjithmonë 5 euro, dhe gjithmonë 20 minuta. Të dy psikologët përshkruan saktësisht këto mekanizma mendorë të përbashkët për të gjithë njerëzit, dhe Kahneman në 2002 mori Çmimin Nobel për ekonomi (Tversky kishte ndërruar jetë ndërkohë).

Dhe këtu më në fund jemi në çmimin Nobel për Thalerin. “Kontributi i tij në zhvillimin e këtij sektori të ekonomisë është i dyfishtë”, shpjegon Riccardo Viale, profesor i Ekonomisë së Sjelljes në Universitetin e Bicocca të Milanos dhe sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë Herbert Simon (e cila merret me racionalitetin dhe ekonominë) në Torino. “Së pari, ai konsiderohet babai i financave të sjelljes, pra i degës që merret me transaksione monetare”. Thaler, në veçanti, ka treguar se, në tregun e aksioneve, çmimi i aksioneve nuk ndjek logjikën racionale: “Investitorët priren të veprojnë në grupe, të ndjekin trendet dhe të kenë shumë vetëbesim.  Kështu që ai që është më i zgjuar se të tjerët mund të kuptojë irracionalitetet e tregut dhe të fitojë, fitojë dhe fitojë më shumë”, vazhdon Viale. Nuk është vetëm teori: një fond investimesh i bazuar në këtë parim ekziston vërtet: quhet Dpam Capital B, u themelua në 2002 dhe shkon shumë mirë.

ME NDARJE

Kontributi i dytë i Thalerit ka të bëjë me kontabilitetin mendor, ai është zbulimi se si “ne priremi t’i etiketojmë paratë tona nga burimi I tyre, i vendosim ato në “kontejnerë” të fiksuar mendorë”, shpjegon Viale. Ky është shembulli i 50 eurove të gjetura në tokë dhe i dy mollëve në një vit e një ditë. Por jo vetëm: “Ne së pari shpenzojmë likuiditetin e pagës sonë, ndërsa jemi më të kujdesshëm kur bëhet fjalë për të ardhurat nga pasuritë tona të patundshme (p.sh. për të shitur dhe për të blerë shtëpi) dhe aktive të luajtshme (investime financiare). Ajo që shpenzojmë edhe me më pak lehtësi është një trashëgimi, të cilën kemi tendencë ta lëmë mënjanë më shpesh”, thotë Viale.

Ky kontabilitet mendor nuk ka shumë kuptim: paratë janë para. E pecunia non olet (“paraja nuk mban erë”), thoshte Vespasiani, për të theksuar se origjina e parave nuk e ndryshon vlerën e tyre. Vespasiani e thoshte këtë në lidhje me taksën që u kishte vendosur urinareve publike: ne mund ta adaptojmë në jetën tonë të përditshme duke u përpjekur gjithmonë të jemi njëlloj të matur, qoftë kur bëhet fjalë nga një trashëgimi e xhaxhait, apo para nga një llotari. Nuk është e lehtë, aq sa vetë Thaler, në momentin e shpalljes së Çmimit Nobel, bëri shaka: “Si do t’i shpenzoj paratë e çmimit? Në mënyrën më irracionale të mundshme!”, deklaroi ai.

Thaler, ndryshe nga kolegët e tij të përmendur më lart, është një ekonomist, jo psikolog: ai dhe juristi amerikan Cass Sunstein kanë kaluar kohë duke punuar me qeveritë Obama në Shtetet e Bashkuara dhe Cameron në Mbretërinë e Bashkuar. Sepse, thonë ata, nëse ne njerëzit jemi kaq irracionalë, atëherë ndoshta është më mirë që në raste të caktuara, për të mirën tonë dhe të mirën kolektive, dikush të na ndihmojë.

ÇFARE SHENJESTRE!

Këtë ndihmë, një shtytje e mirë drejt sjelljes më të mençur, ata e quajtën ngacmim. Shembulli më piktoresk, që me sa duket do ta kishte dashur edhe Vespasiani, është ai i një mize të pikturuar në urinatoren e burrave (një model i gjetur, për shembull, në aeroportin e Amsterdamit):  ndërsa zotërinjve u pëlqen të luajnë duke e shënjestruar, të gjithë do të godasin objektivin më kollaj, duke përmirësuar higjienën e banjës. “Në përgjithësi, koncepti i shtytjes nënkupton hyrjen në dimensionin psikologjik të gjërave, duke kuptuar se si interpretohen nga njerëzit”, vazhdon Viale.

“Mashtrimi” më i rëndësishëm i Thaler ka të bëjë me respektimin e një plani të akumulimit të pensioneve nga punëtorët amerikanë, të cilët nuk paguajnë detyrimisht kontribute por mund të zgjedhin të mos i paguajnë. Dhe shumë prej tyre në fakt zgjedhin të shpenzojnë gjithçka kur janë të rinj, duke rrezikuar ta gjejnë veten në varfëri kur të jenë plakur. “Ideja e Thaler ishte kjo: ju jeni pajtuar në planin e pensionit, i cili nis pas 6 muajsh (nëse do të ishte shkaktuar menjëherë do të ishit mërzitur). Për më tepër, ju kanë thënë se paga juaj e përgjithshme nuk do të ulej”, shpjegon Viale. Në të vërtetë nuk ishte plotësisht e vërtetë, sepse ata i referoheshin pagës bruto, ndërsa neto po zvogëlohej. Por në këtë mënyrë, dy nga tendencat tona klasike u anashkaluan: ajo për të cilën ka gjithmonë kohë për qëllime të mira (dieta fillon gjithmonë nesër, apo jo?).  Dhe jo ku paratë që humbni ju mërzisin më shumë, se sa ju kënaqin paratë që fitoni. Funksionoi? “Po, dhe qindra-mijëra punëtorë amerikanë kanë një sistem pensioni,” përfundon Viale.

TUNDIME

Morali është që përpara se të propozosh një ligj, një detyrim, një ndalim, para se të miratosh ndonjë masë, por edhe para se të luash në tregun e aksioneve dhe të bësh investime të rëndësishme, është e këshillueshme të kuptosh se si funksionojnë mendjet njerëzve,  se ne jemi gjithçka përveç se llogaritës të ftohtë. Madje, edhe politika funksionon më mirë nëse di të përdorë pak psikologji aty-këtu (dhe dinakëri, pse jo?). Për shembull, mund të zbulohet se marrja e shembujve negativë (“sa shumë I shmangin taksat!”) mund t’i shtyjë shumë që t’i ndjekin ata në shembullin e tyre (“epo, një më shumë, një më pak, edhe unë shpëtoj… dhe sigurisht nuk do të më kapin”). Të luajturit me mollët sot dhe mollët nesër na ndihmon të kuptojmë se si dhe pse sillemi në këtë mënyrë, dhe të marrim në shtëpi një Çmim Nobel. / Focus – Bota.al