MENU
klinika

Prof. Edvin Prifti

Shpikja e makinës zemër-mushkëri

14.10.2018 - 22:09

Menjëherë pas shpikjes së makinës zemër-mushkëri, kardiokirurgët filluan tentativat e para për zëvendësimin e valvolave kardiake me proteza mekanike.

Zëvendësimi i parë i një valvole kardiake u realizua nga Dr. Dwight Harken në Harvard’s Peter Bent Brigham Hospital në Boston, SHBA. Harken përdori një valvole-protezë në formën e një topi të vendosur brenda një kafazi metalik për të zëvendësuar valvolen e aortës. Shumë prej teknikave të përshkruara që në vitin 1960 aplikohen edhe sot në zëvendësimin e valvolës së aortës.

Në të njëjtin vit, Dr. Albert Starr zëvendësoi me sukses për herë të parë valvolën mitrale duke përdorur një protezë valvolare të ngjashme.

Në vitin 1964, Starr dhe ekipi i tij raportoi 13 pacientë të cilët i ishin nënshtruar zëvendësimit të më shumë se të një valvole kardiake.

Më 21 shkurt të vitit 1963, Starr raporti një pacient i cili i ishte nënshtruar zëvendësimit të valvolës së aortës, valvolës mitrale dhe asaj trikuspidale.

Në vitin 1967 ishin implantuar te njerezit, afërsisht dy mijë proteza valvolare të tipit Starr-Edwards dhe kështu kjo tip valvole e cila kishte formën e një topi plastik të futur në një kafaz metalik u pranua si një protezë standarde për zëvendësimin e valvolave kardiake.

Megjithatë sot, janë zhvilluar gjeneracione të tjera të protezave valvolare, të cilat janë në përdorimin e përditshëm, shumë më të ndryshme se protezat valvolare Starr-Edwards.

Pas diplomimit në Columbia College of Physicians and Surgeons në 1949, Dr. Albert Starr bëri një vit stazh në Johns Hopkins Hospital.

Atje ai punoi me kirurgun e famshëm në botë Dr. Alfred Blalock, i cili shpiku dhe realizoi për herë të parë ndërhyrjen e quajtur Blalock-Taussig në fëmijët e vegjël të lindur me vese kardiake të caktuara, që shoqëroheshin me cianozë.

Pasi mbaroi stazhin, Dr. Starr u kthye në New York, por shpejt u caktua të shkonte në korpusin mjeksor të ushtrisë amerikane dhe pikërisht në divizionin e parë të kavalërisë në luftën në Kore dhe më pas në Spitalin e Lëvizshëm Kirurgjikal të Ushtrisë të quajtur (MASH). Brenda një viti ai kreu më shumë se një mijë intervente (ndërhyrje).

Në një intervistë ai do të thoshte që “Koreja ishte lufta e parë në të cilën kishte shumë furnizime për një luftë që do të rezultonte tepër e kufizuar.

Gjatë kësaj lufte kishte një sasi të pakufizuar gjaku disponibël për transfuzione në fushën e luftës. Ishte koha e fillimit të antibiotikut dhe sapo kishin filluar të funksiononin helikopterët e evakuimit, kështu që ushtarët e plagosur vinin në spital për një kohë shumë më të shkurtër se përpara.

Përqindja e mbijetesës për ata që mbërrinin gjallë në spitalin kirurgjikal ishte mëse 95 për qind.”

Pasi mbaroi këtë detyrë, ai u kthye në spitalin Bellevue and Presbyterian, në New York, për të vazhduar specializimin e tij në kirurgji. Në vitin 1957, Dr.Starr përfundoi specializimin në kirurgji torakale dhe filloi të punonte në Univeristetin e Oregonit në Portland, ku filloi interventet kardiake.

Pikërisht këtu ai filloi kirurgjinë e valvolave kardiake dhe problemet që kishte riparimi i tyre. Pasi eksperimentoi një sërë protezash, Starr u bind që zëvendësimi i një valvole mitrale shumë të dëmtuar ishte e vetmja shpresë për disa paciente.

Kështu ai u njoh me një inxhinier në pension që quhej M.Lowell Edwards. Ky ishte një inxhinier shumë i zoti dhe i suksesshëm, i pavarur dhe tepër i pasur. Edwards kishte bërë disa shpikje që më përpara dhe më pas u njoh me Dr. Starr me qëllimin për të projektuar një zemër artificiale.

Dr. Starr do të thoshte më vonë “mendova që po e tepronte me këtë ide dhe kjo për ta thënë shumë butë. Por më vonë zbulova që ai ishte një inxhinier tepër i suksesshëm dhe megjithëse ishte i veshur me atë veshjen tipike të golfit, përsëri ai kishte bërë një sërë shpikjesh gjatë karrierës së tij.

Një prej tyre ishte krijimi i një sistemi injeksioni të karburantit për avionët ushtarak gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili bënte të mundur një ngritje shumë më të shpejtë të avionit.

Shumë prej avionëve ushtarak sikurse edhe avioni P-38 kishin këtë sistem injeksioni dhe një pjesë e mirë e suksesit të luftës në ajër i ishte akredituar pikërisht këtij sistemi. Në luftën e Anglisë, avionet anglez të quajtur Spitfires kishin pikërisht këtë sistem injeksioni i cili iu lejonte një ngritje shumë të shpejtë në lartësi të mëdha pa shkaktuar një mosfunksionim të motorëve.”

Kur Dr. Starr i tha Edwards që mjekësia nuk dispononte akoma protezat valvolare mekanike dhe jo më një zemër artificiale, atëherë të dy vendosën të fillonin punën për të shpikur një valvol të tillë artificiale. Ata filluan me valvolën mitrale.

Pasi projektuan një seri valvolash kardiake ata vendosën për valvolën në formën e një topi të futur brenda një kafazi metalik, e cila tregoi rezultate më të mira në eksperimentet me qentë, pasi nuk bllokohej lehtë nga formimi i trombeve në ndryshim nga protezat e tipeve të tjera, të cilat krijonin trombe në fletët e valvolës.

Shumë shpejt ata mësuan që edhe në tipin e zgjedhur prej tyre formoheshin trombe, por për vetë strukturën e protezës mekanike valvolare, vetëm një tromb i madh mund ta mbyllte atë dhe formimi i këtij trombi të madh kërkonte shumë më tepër kohë.

Në atë kohë, ata i kryenin këto eksperimente në qentë e laboratorit dhe kishin verifikuar që të gjithë këta qenë vdisnin nga tromboza brenda disa muajve pas zëvendësimit të njërës prej valvolave kardiake.

Kjo problematikë e shtyu Starr dhe Edwards të mendonin membranën e silastikut, që nuk ishte gjë tjetër veçse një membranë e retraktueshme, e cila mund të mbulonte penjtë e përdorur në mënyrë që të pengohej koagulimi i gjakut në to.

Në këtë mënyrë shumë prej qenjve mbijetuan për shumë kohë dhe Starr filloi të kishte një numër të konsiderueshëm të këtyre qenve, që i mbijetonin për shumë kohë interventit të zëvendësimit të valvolës mitrale.

Më vonë Starr do të thoshte – “Shefi i kardiologjisë Dr. Herbert Griswold, ishte i informuar për këta qenj që kishin mbijetuar për një kohë të gjatë dhe erdhi për vizitë në laboratorin tonë në Gusht të vitit 1960.

Ai i pa të gjithë këta qenj dhe më thotë – Starr, ne duhet ta fusim këtë intervent në praktikën klinike. Kjo ishte hera e parë që ne filluam të mendonim seriozisht përdorimin e kësaj valvole te njeriu edhe pse fillimisht mendoja që eksperimentetet duhet të vazhdonin edhe për dy vite të tjera.”

Proteza e parë valvolare e përdorur te njeriu nuk e kishte membranën e silastikut.

Starr e dinte që gjaku i qenve koagulonte shumë më shpejt se te njeriu, kështu që preferoi një procedure sa më të shpejtë në ndërhyrjen e tij të parë të këtij tipi.

Edhe nëse pacienti do të bënte ndonjë tromboze, ai do t’i nënshtrohej trajtimit me terapi antikoagulante. Interventi i parë u bë në Shtator të vitit 1960 në një vajzë të re që sapo i kishte kaluar njëzetë vite. Proteza valvolare Starr-Edwards u bë një nga protezat më të preferuara në vitet që do të vinin më pas.

“Ky intervent ngjalli një interes shumë të veçantë dhe e vendosi Universitetin e Shkencave Mjeksore të Oregonit si një nga qendrat më të përparuara, i cili u bë pikë referimi nga shumë kirurgë në të gjithë botën.”