MENU
klinika

Rrezik për një luftë të re të ftohtë

Të ndalet degradimi i marrëdhënieve Kinë-SHBA

10.10.2020 - 17:36

SHBA dhe Kina duhet të bëjnë hapa mbrapa nëse nuk duan që historia të përsëritet.

Çdo javë që kalon na sjell prova të reja të spirales në rënie në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Në ditët e fundit, mediat kineze të kontrolluara nga shteti kanë sulmuar “hipokrizinë e paturpshme” të Amerikës për shkak se ka kritikuar Kinën për të drejtat e njeriut.

Nga ana e tij, Presidenti Donald Trump i ka hedhur përsëri fajin për pandeminë Covid-19 Pekinit, duke u zotuar se Kina “do të paguajë çmim të madh për ato që i kanë bërë këtij vendi”.

Këto shpërthime të Trump, janë pasqyrë e përkeqësimit të marrëdhënieve midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Tensionet janë aq të larta sa shumë analistë, përfshirë burra të vjetër të shtetit, si Henry Kissinger, po flasin për një “luftë të re të ftohtë”.

Lidhjet e thella tregëtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë patur këmbime mallrash të përvitshme me një kosto prej më shumë se gjysmë trilion dollarësh.

Por diskutimet për një luftë të re të ftohtë rritin rrezikun që rendi global të mund të ndahet edhe një herë në kampe armiqësore.

Ndërsa Uashingtoni dhe Pekini e pranojnë këtë rivalitet, një luftë e re e ftohtë nuk është e pa shmangshme.

Do të ishte ekonomikisht e dëmshme dhe ushtarakisht e rrezikshme. Do kufizonte jetën e njerëzve në të gjithë botën, të cilët mund të kenë një kufizim të mundësive për të studiuar, punuar dhe udhëtuar në këto dy vende.

Tensionet ushtarake tashmë po rriten në nivele të rrezikshme mbi Tajvanin dhe në Detin e Kinës Jugore.

Edhe nëse shmanget konflikti i drejtpërdrejtë, një luftë e re e ftohtë e bën më të vështirë për Uashingtonin dhe Pekinin që të punojnë së bashku në problemet urgjente të botës siç janë ndryshimi i klimës ose pandemitë.

Ajo kërcënon të çojë në sanksione të mëtejshme dhe luftëra tregtare, të cilat ekonomia e brishtë botërore nuk mund t’i përballojë.

Ndalimi i një lufte të re të ftohtë nuk do të jetë e lehtë. Ka të ngjarë të kërkojë ndryshime të thella veçanërisht në Kinë, por edhe në Amerikë.

Nëse Kina dëshiron të ulë tensionet me SHBA, ajo duhet të ndjekë politika më pak agresive jashtë vendit, dhe politika më të hapura në vend.

Mbi të gjitha, Pekini duhet të kuptojë se çdo sulm ushtarak ndaj Tajvanit do t’i jepte fund marrëdhënieve tregtare normale me perëndimin.

Kina gjithashtu mund të zvogëlojë tensionet në Detin e Kinës Jugore duke pranuar vendimin e KB mbi mosmarrëveshjet territoriale.

Pekini mund të zbusë disa zemërime të provokuara nga pandemia Covid-19 duke rënë dakord për një hetim ndërkombëtar të mbështetur nga KB për origjinën sëmundjes.

Nëse Kina dëshiron që bizneset e saj të zgjerohen pa pengesa në perëndim, ajo gjithashtu do të duhet të ndryshojë ligjet që i detyrojnë këto biznese t’u nënshtrohen objektivave të sigurisë kombëtare të Kinës.

Nga ana e saj, SH.B.A. duhet të frenojë çdo tentativë për të bllokuar ngritjen ekonomike të Kinës thjesht për arsye politike dhe pushteti.

Kina ka të drejtën legjitime për zhvillim dhe prosperitet. Nëse vazhdon të rritet, do të jetë në mënyrë të pashmangshme ekonomia më e madhe në botë.

Shtëpia e Bardhë duhet të heqë dorë nga ideja që një deficit tregtar dëshmon se diçka nuk shkon në marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Këto hapa nuk do të jenë të lehta, për Uashingtonin ose Pekinin. Por nëse të dy palët, nuk bëjnë përpjekje për të ndaluar spiralen në rënie të marrëdhënieve, perspektivat për sigurinë globale, ekonominë botërore dhe mjedisin do të jenë më të errëta.

Përkthyer dhe përshtatur nga financial times/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN