MENU
klinika

Nga The Guardian

Beteja ‘ka plasur’ në skaj të Evropës/ Çfarë fshihet pas saj?!

10.10.2020 - 21:12

Lufta prej dekadash në Nagorno-Karabak është një tragjedi kryesisht e harruar, me humbje të mëdha në jetë njerëzish dhe një labirint këndvështrimesh të ndryshme.

Një tragjedi po ndodh në afërsi të Evropës në brendësi dhe rreth rajonit të Nagorno-Karabak-ut në Kaukazin e Jugut. Një luftë kryesisht e harruar ndër vite, ka rifilluar midis armenëve dhe azerbajxhanasve.

Si dikush që ka raportuar dhe studiuar këtë konflikt për më shumë se 25 vjet në të dy palët, më lejoni të përpiqem t’ju drejtoj nëpër këtë labirint.

Vlen të theksohet para së gjithash kostoja në jetë njerëzish. Qindra njerëz kanë vdekur që nga 27 shtatori, kur rifilluan luftimet, pasi Azerbajxhani vendosi të nisë një ofensivë të papritur. Secila palë tani po përdor armë të prodhimeve të fundit dhe dëmet janë të larta.

Raportimi mjaft i kufizuar nga rajoni na tregon se vetë popullata armene e Karabak-ut po vuan shumë nga bombardimet e vazhdueshme. Komisioneri vendas për të drejtat e njeriut për rajonin ka thënë se më shumë se 70,000 civilë janë larguar. “Amnesty International” ka raportuar përdorimin e bombave thërrmuese, të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar.

Po marrim gjithashtu raportime se artileria armene sulmon qendrat urbane në Azerbajxhan pranë vijës së frontit.

Dimë shumë pak për angazhimet e tyre ushtarake, por është e sigurt që shumë të rekrutuar të rinj po vdesin në beteja të ashpra.

Paralelisht, një “luftë” e dendur informacioni zhvillohet në televizione dhe mediat sociale. Retorika toksike e këtij konflikti në të cilën secila palë cilëson tjetrën si “fashiste” dhe “fanatike” nxit edhe më shumë përleshjet.

Askush nuk ka monopol mbi të vërtetën e kësaj mosmarrëveshje. Secila palë ka pretendime të ligjshme për drejtësi, në një konflikt, rrënjët e të cilit qëndrojnë në fillimin e shekullit të 20-të dhe në rënien e perandorisë ruse.

Rajoni malor kishte një shumicë popullsie armene dhe një trashëgimi të gjatë kulturore armene por ishte gjeografikisht brenda territorit të Azerbajxhanit dhe gjithashtu është vendbanim edhe për shumë azerbajxhanas.

Bolshevikët vendosën urdhrin me forcë në vitin 1920. Por zgjidhja e tyre e Nagorno-Karabakut si një rajon i ri autonom i dominuar nga armenët, por brenda territorit të Azerbajxhanit, ishte një burim i pasigurisë reciproke për të dy palët.

Në vitin 1988, armenët e Karabakut bënë presion ndaj, Mikhail Gorbachev-it që t’i lejonte të largoheshin nga Azerbajxhani Sovjetik dhe të bashkoheshin me Armeninë.

Në vitin 1991, fundi i BRSS nxiti një konflikt të armatosur midis dy shteteve të pavarura kombëtare. Pas tre vjet luftimesh, 20,000 vdekjesh dhe zhvendosjesh masive, armenët mbizotëruan në fushën e betejës dhe u nënshkrua një armëpushim.

Secila palë në konflikt ka ankesa legjitime, por të ndryshme. Armenët kanë frikë se Azerbajxhani do të shkatërrojë armenët e Karabakut dhe t’i dëbojë ata nga vendlindja e tyre. Në vitin 1992, kjo gjë thuajse ndodhi.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se do u jepte armenëve të Karabakut “autonominë më të madhe në botë” megjithatë që nga viti 1991, qeveria e Azerbajxhanit nuk ka hartuar një dokument të vetëm që të tregojë çfarë nënkupton kjo.

Për armenët, raketat që hidheshin në Karabak javën e kaluar tregojnë historinë e vërtetë.

Megjithatë, pala armene është gjithashtu fajtore dhe nga veprimet e saj gjatë dy dekadave të fundit ka treguar se është një lloj bashkënixtëse e konfliktit të ri.

Në vitet 1992-1994, forcat armene morën kontrollin jo vetëm të Nagorno-Karabak-ut por, në tërësi ose pjesërisht, të shtatë rajoneve të Azerbajxhanit, duke shkaktuar një katastrofë humanitare ndërsa dëbuan më shumë se gjysmë milioni azerbajxhanas nga shtëpitë e tyre.

Fillimisht, udhëheqësit armenë thanë se i kishin marrë përkohësisht këto rajone por gjatë viteve kanë treguar se nuk kanë ndërmend t’i kthejnë më duke i quajtur “të çliruar” dhe duke lejuar rreth 17,000 kolonë armenë të vendosen me shtëpi atje.

Zhgënjimi i Azerbajxhanit është plotësisht i kuptueshëm. Por në fund të fundit secila palë mund të marrë vetëm dëmshpërblim dhe të gjejë paqe duke bashkëpunuar me tjetrën.

Pas shpërthimit të luftimeve në prill 2016, të dy palët ranë dakord të ri-angazhohen me procesin e paqes, por më pas hoqën dorë nga vendimi.

Konflikti i ri po kushton jetë dhe po krijon pikëllim dhe zemërim në brezin e ri. Luftimet kanë një logjikë të vetën dhe ndoshta do të ndalen vetëm nëse Azerbajxhani vendos dhe dëshiron të ndalojë, pasi të rimarrë një sasi të konsiderueshme territori me kosto të mëdha në jetë njerëzore. Afrimi i dimrit në male mund të ndihmojë.

Po ashtu edhe përfshirja aktive e Turqisë në anën e Azerbajxhanit shton një faktor të ri ndërlikues në konflikt.

Evropianët, dhe Shtetet e Bashkuara mund të përpiqen të mbledhin një konferencë paqësore shumëpalëshe, e diskutuar së pari në 1992, për të zgjidhur konfliktin.

Kjo duket larg tani. Në këtë moment të vetmit që po festojnë janë nacionalistët ekstremë, Turqia e Erdoganit dhe industria e mbrojtjes së Rusisë e cila ka furnizuar të dy palët me armë dhe do të jetë e gatshme t’u japë atyre më shumë sapo të fillojnë t’u mbarojnë.

Përkthyer dhe përshtatur nga the guardian/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN