MENU
klinika

Çdo gjë mund të jetë ndryshe...

A mos kemi kuptuar gjithçka gabim? Covid-19, një rishikim i simptomave

11.10.2020 - 08:42

A e kemi kuptuar gabim Covid-19? Ndërsa evoluon lista e simptomave të njohura nga autoritetet shëndetësore, ne kemi filluar të mësojmë se njerëzit, me sa duket bien në një nga disa grupet e simptomave dhe se mund të mos jemi duke kapur shenjat më të rëndësishme të sëmundjes tek fëmijët.

Gjetjet mund të ndihmojnë studiuesit të kuptojnë më mirë sesi virusi ndikon ndryshe mes individëve, dhe se si një shpërthim në një kopsht mund të duket shumë ndryshe nga ai në një azil.

Në janar, kur bota u njoftua për herë të parë për një koronavirus të ri që po përhapej në qytetin kinez të Vuhanit, autoritetet shëndetësore renditën kollën, ethet dhe vështirësinë e frymëmarrjes si simptomat kryesore. Njerëzit me infeksione të rënda zhvilluan pneumoni. Sëmundja ngjante me shumë infeksione të tjera të frymëmarrjes.

Me kalimin e kohës, ajo fotografi evoluoi dhe sot, si Organizata Botërore e Shëndetësisë ashtu edhe Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rendisin një sërë simptomash për covid-19. “Kuptimi ynë për simptomat po ndryshon gjatë gjithë kohës”, thotë Angela Rasmussen në Shkollën e Shëndetit Publik Mailman, në Universitetin e Columbias. “Në fillim, ne u përqendruam në simptomat e frymëmarrjes sepse është një sëmundje e frymëmarrjes, por kemi mësuar që është shumë më komplekse se kaq”.

Një nga zbulimet e para, ishte se virusi duket se shkakton simptoma më të rënda tek njerëzit e moshuar, si dhe tek ata me sëmundje të tjera.

Por efekti tek çdo individ mund të ndryshojë jashtëzakonisht shumë – edhe shumë të rinj kanë vdekur. “Ne e kuptuam se mund të ishte shumë ndryshe, nga një person tek tjetri”, thotë Carole Sudre në King’s College në Londër.

Nuk është e qartë saktësisht çfarë e përcakton se sa shumë mund të sëmuret një person, por ka shumë faktorë që mund të luajnë një rol. “Të gjithë këta njerëz janë nga vende të ndryshme, ata kanë dieta të ndryshme, gjenome dhe epigjenome, kanë statuse të ndryshme mjekësore dhe qasje në kujdesin shëndetësor,” thotë Rasmussen. “Të gjitha ato gjëra krijojnë një ambient unik për replikimin e virusit dhe që trupat unikë të reagojnë në mënyra të ndryshme.”

Mënyra se si individët janë të ekspozuar ndaj virusit gjithashtu mund të ketë një efekt, thotë Rasmussen. Për shembull, variante të ndryshme mund të shkaktojnë reagime të ndryshme imune. Sasia e virusit ndaj të cilit një person është i ekspozuar mund të ndikojë në simptomat që ai zhvillon, siç mund të ndikojë në rrugën e infeksionit, për shembull nga hunda, sytë apo goja.

Një përpjekje për të kuptuar se si virusi prek njerëzit në mënyra të ndryshme bazohet në të dhënat nga aplikacioni Covid Symptom Study, i zhvilluar nga kompania Zoe. Që nga fillimi i tij në fund të Marsit, më shumë se 4.4 milion njerëz janë regjistruar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Suedi. Përdoruesit e aplikacionit futin informacionin mbi moshën, vendndodhjen dhe shëndetin e tyre dhe më pas u kërkohet të raportojnë se si ndihen çdo ditë. Ata gjithashtu mund të regjistrojnë çdo test koronavirus që kanë bërë.

Bazuar në një mostër prej 1653 përdoruesish të aplikacionit, ekipi që e ka krijuar atë ka identifikuar gjashtë grupe simptomash.

Tre prej grupeve janë relativisht të butë. Njerëzit që janë pjesë në grupe më të rënda kanë tendencë të zhvillojnë lodhje, dhimbje gjoksi dhe konfuzion. Ata që bien në grupin e gjashtë shpesh rëndohen.

“Nëse preket vetëm sistemi i sipërm i frymëmarrjes, atëherë rreziku për të pasur nevojë për ndihmë në spital dhe frymëmarrje është shumë më i vogël”, thotë Claire Steves në King’s College në Londër, e cila është bashkëautore e studimit. “Kur … një person ka simptoma në të gjithë trupin – jo vetëm hundën dhe fytin, por edhe muskujt, gjoksin, barkun dhe trurin – kjo është koha kur ka më shumë të ngjarë të ketë nevojë për ndihmë spitalore”.

Parashikimet personale

Sudre, i cili është gjithashtu në ekipin e studimit, shpreson që njohja e simptomave të një personi në këtë mënyrë mund të ndihmojë profesionistët e shëndetit të parashikojnë nivelin e kujdesit për të cilin dikush mund të ketë nevojë.

Gjetjet mund të ndihmojnë gjithashtu në informimin se kush duhet të marrë një test për koronavirusin. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, qeveria aktualisht këshillon që të testohen vetëm personat me ethe, kollë të vazhdueshme ose humbje të shijes apo aromës. Duke pasur parasysh ndryshueshmërinë e simptomave – dhe që shumë njerëz nuk kanë fare – këto kritere pa dyshim do të bëjnë që shumë raste të mos dallohen.

Studiuesit po përpiqen gjithashtu të kuptojnë se si simptomat zhvillohen me kalimin e kohës. Në mënyrë tipike, simptomat e renditura nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar priren të shfaqen diku midis 2 dhe 14 ditëve pas infektimit. “Mund të jetë tepër vonë dhe ju mund të keni infektuar tashmë shumë njerëz,” thotë Sudre.

Kolegët e saj po hetojnë cilat simptoma ka më shumë të ngjarë të zhvillohen së pari. Deri më tani, duket se dhimbja e kokës dhe lodhja godasin më herët – që gjithashtu mund të jenë simptoma që ne i injorojmë kollaj.

Fëmijët duket se preken ndryshe, dhe një grup tjetër simptomash mund të jetë më i përshtatshëm për të pikasur Covid-19. Në veçanti fëmijët e vegjël duket se përjetojnë një infeksion shumë të ndryshëm nga të rriturit.

Kjo është ajo që Tom Uaterfield në Universitetin e Mbretëreshës Belfast dhe kolegët e tij gjetën kur vlerësuan simptomat e 992 fëmijëve, që trajtoheshin për sëmundje të ndryshme në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Gjashtëdhjetë e tetë u konfirmua se kishin koronavirus. Ekipi i Uaterfield krahasoi simptomat e tyre me ato të fëmijëve që nuk kishin pasur virus.

“Studimi ynë po tregon një gamë të madhe simptomash me shumë mbivendosje”, thotë Uaterfield. Ekipi i tij përdori një model kompjuterik për të përpunuar se cilat ishin më parashikuese të covid-19, në krahasim me infeksionet e tjera të zakonshme. Ndërsa shumë prej fëmijëve kishin ethe ose kollë, për shembull, këto simptoma ishin të lidhura edhe me viruse të tjera. “Nëse doni një simptomë që mund t’ju japë një saktësi më të madhe, pa patur nevojë për teste shtesë, ajo do të ishte diarre dhe të vjella”, thotë ai.

Strategjisë aktuale të testimit në Mbretërinë e Bashkuar i kanë shpëtuar 24 përqind e fëmijëve simptomatikë, por përfshirja e diarresë dhe të vjellave në kriteret e testimit nënkupton se 97 përqind do të ishin zbuluar.

Simptomat kryesore tek fëmijët më të vegjël gjithashtu duken ndryshe nga ato që shihen tek fëmijët më të rritur. Adoleshentët kanë më shumë të ngjarë të raportojnë ndryshime në shqisat e shijes dhe nuhatjes sesa fëmijët e vegjël, megjithëse fëmijët e vegjël thjesht mund të mos arrijnë ta shprehin problemin.

Kjo përshtatet me studime të tjera që sugjerojnë se mënyra e përhapjes së virusit tek adoleshentët është më afër asaj tek të rriturit, por ende nuk e dimë pse mund të jetë kështu.

“Mund të ketë të bëjë me ndryshimet në sistemin imunitar midis të rinjve dhe të moshuarve”, thotë Petter Brodin në Institutin Karolinska në Stokholm, Suedi. Disa studiues mendojnë se mund të ketë lidhje me receptorët ACE2, me të cilët lidhet virusi. Fëmijët mund të kenë më pak nga këta receptorë në hundë dhe në fyt.

Kjo sugjeron gjithashtu që koronavirusi po përhapet në një mënyrë tjetër midis fëmijëve të vegjël. Ndërsa mendohet se përhapet kryesisht përmes stërklave të mëdha dhe aerosoleve më të vegjël në ajër, përhapja e diarresë dhe të vjellave tek fëmijët e vegjël sugjeron që higjiena e dobët e banjës mund të luajë më shumë rol për ta, thotë Uaterfield.

Lodhja ishte një tjetër simptomë e zakonshme në mesin e fëmijëve në studimin e Uaterfield, dhe ai shqetësohet se shumë do të vazhdojnë ta përjetojnë këtë pasi të jenë rikuperuar nga infeksioni fillestar. Kjo është bërë tashmë një trend në shumë të rritur, të cilët përshkruajnë përjetimin e simptomave të “Covidit të gjatë”, për javë ose muaj pasi kaluan sëmundjen. / New