MENU
klinika

Kuqezinjtë në konferencën për shtyp

Trashi dhe Seferi: Nuk hidhet poshtë një pikë

12.10.2020 - 14:56

Kombëtarja shqiptare ka lënë pas ndeshjen me Kazakistanin dhe tani po mendon për sfidën e pasnesëme ndaj Lituanisë po në transfertë. Sot në konferencë për shtyp ka qenë Lorenc Trashi dhe Taulant Seferi. Trashi është është shprehur se në ndeshjen e fundit donin tri pikët, por është i kënaqur edhe me një pikë.

Paraqitja – “Në aspektin individual isha mirë, në të dytën të jem i sinqertë nuk ishte shumë loja në krahun tim. Ishte më shumë loja nga Veseli në pjesën e dytë, nuk pati shumë aksione. Në aspektin e grupit, bëmë një ndeshje të mirë, pavarësisht rezultatit. Duhej të shfrytëzonim rastet”.

Barazimi – “Edhe i kënaqur jam edhe pse donim tre pikët. I patëm mundësitë, kishim më shumë raste. Duhej të kishim fituar, por duke parë edhe tri ndeshjet e tjera, një pikë është mirë. Në lidhje me lojtarët debutues, mendoj që kanë bërë një ndeshje të mirë, si Broja dhe ashtu Kallaku. Edhe komentet kanë qenë pozitive dhe kombëtarja ka fituar dy lojtarë shumë të mirë”.

Objektivat – “E përgjithshmja është mirë dhe pas ndeshjes me Kazakistanin çdo gjë ka qenë në rregull, me njëri-tjetrin kemi folur në dhomat e zhveshjes dhe jemi përgëzuar për lojën që bëmë. Kemi thënë se duhet të jemi me kokën lart dhe duhet të jemi të përqëndruar për të marrë maksimumin e pikëve në ndeshjet e tjera”, – u shpreh Trashi.

Ndërsa Taulant Seferi u fut në minutat e fundit dhe mundi të bëjë një ndeshje pozitive, pavarësisht se humbi një rast të pastër përballë portierit, që mund t’i jepte triumfin kombëtares. Ai foli në lidhje me ndeshjen e djeshme dhe situatën në kombëtare.

Aktivizimi – “Normalisht që u ndjeva mirë sepse çdo herë është kënaqësi kur je pjesë e kombëtares së Shqipërisë. Çdo herë që vij këtu jam i lumtur dhe krenar. Mezi po prisja të futesha në fushë. Them se në ato minuta që luajta bëra mirë, por nuk kisha fat në rastin e humbur. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të punoj fort që të jem pjesë e kombëtares.”

Titullar – “Unë çdo herë punoj fort që të arrij të luaj në formacionin e parë sepse dëshira e çdo lojtari është të jetë titullar. Por në fund të fundit e vendos trajneri. Unë në çdo rast do të jem i gatshëm, si nga stoli, si nga formacioni.”

Atmosfera – “Kam shumë besim te grupi jonë i ri sepse jemi prej thuajse një jave së bashku dhe po shoh se atmosfera është shumë e mirë me çunat e rinj që kanë ardhur. Është atmosferë shumë e mirë, ka shumë kualitet në skuadër dhe mendoj se do japim maksimumin tonë dhe të dalim të parët në grup”, – përfundoi Seferi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Luajti titullar në Kazakistan

Kumbulla: I lumtur për ngjyrat kuqezi