Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, iu adresua ministrave të Jashtëm të BE-së për bisedimet midis këtyre dy vendeve.
“Jam mirënjohës për interesin e tyre të sinqertë dhe mbështetjen e fuqishme. Diskutimi i sotëm konfirmoi se dialogu është qartazi i lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në një postim në Twitter.
Ministrat e jashtëm të BE-së u mblodhën të hënën për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi.
Dialogu synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Kosova insiston se dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë me Serbinë, ndërsa Serbia dhe zyrtarët e saj kanë hedhur poshtë një ide te tillë.