Përpjekjet diplomatike për të zgjidhur konfliktin e Nagorno-Karabakut për rreth tre dekadat e fundit janë të paefektshme, tha një zyrtar i lartë në Azerbajxhan.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Stamboll, ai tha:
“Ne gjithmonë i kemi vlerësuar përpjekjet diplomatike dhe politike për zgjidhjen e konfliktit, por kemi të drejtë të themi se këto përpjekje në 28 vitet e fundit nuk ishin maksimale, jo aq pozitive dhe jo aq efektive.”
Ai shtoi se Azerbajxhani nuk është kundër përpjekjeve të Grupit të Minskut por vuri në dukje se ai ende nuk ka dhënë rezultate.
Grupi i Minskut i bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, u formua në vitin, 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por pa rezultat. Sidoqoftë, një armëpushim u bë në 1994-ën.
Zyrtari gjithashtu tha se Turqia është një fuqi rajonale me interesa legjitime dhe duhet të përfshihet në çështjet rajonale, ashtu si Rusia. Prandaj, Turqia duhet të përfshihet në zgjidhjen e konflikteve në rajon.
Ai tha se i vlerësonte përpjekjet e Turqisë për të mbështetur Azerbajxhanin, duke shtuar më tej se Turqia ka dhënë çdo lloj mbështetjeje që kur Azerbajxhani fitoi pavarësinë e tij.
Zyrtari nënvizoi bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve, duke thënë se Azerbajxhani ka marrë pajisje ushtarake nga Turqia dhe se të dy vendet bëjnë stërvitje ushtarake së bashku, por vuri në dukje se ushtria turke nuk është e përfshirë në konfliktin aktual.
Më tej theksoi mesazhet e mbështetjes që kanë ardhur nga e gjithë Turqia për Azerbajxhanin.
Shumë fuqi botërore, përfshirë Francën, Rusinë dhe SH.B.A.-në, kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm mes dy vendeve dhe u arrit me ndërmjetësimin e Rusisë por nuk zgjati më shumë se disa minuta ndërsa dy palët filluan sërish të akuzonin njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes.
Turqia ka mbështetur të drejtën e Bakut për vetëmbrojtje dhe kërkoi tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.
Zyrtari pretendoi se ndryshimi më i madh midis dy vendeve është se Azerbajxhani është i pavarur dhe mund të marrë vendimet e veta ndërsa Armenia duhet të kontrollojë dy herë se çfarë të bëjë, duke nënkuptuar që fuqitë më të mëdha tërheqin fijet e Armenisë. Ai nënvizoi se shumica e sulmeve ndaj territoreve të Azerbajxhanit po vijnë nga territoret armene.
Luftimet filluan më 27 shtator kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar edhe viktima.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave Sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Nagorno-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si i Azerbajxhanit.
Rreth 20% e territorit të Azerbajxhanit ka mbetur nën okupimin ilegal të Armenisë për rreth tre dekada.
Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të KB (UNSC) dhe dy Asambleve të Përgjithshme të KB (UNGA), si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.
Përkthyer dhe përshtatur nga dailynews/ F.H, konica.al