Në vitin 2016 ata ishin protagonistët e Euro 2016 me Shqipërinë, njëri luan akoma madje me Kombëtaren, por të katërt kanë një të përbashkët, luajnë në ligën e dytë të Zvicrës, ndoshta edhe për të mbyllur karrierën.
Burim Kukeli, Shkëlzen Gashi, Ermir Lenjani dhe Migjen Basha duket se kanë vendosur që të kalojnë vitet e fundit të karrierës së tyre në klubet e kësaj kategorie, në vendin ku u rritën si futbollistë. Të katërt me skuadra të ndryshme.
I fundit në listë është Migjen Basha, i cili sot firmosi për klubin e Neuchatel Xamax, duke i dhënë lamtumirën kampoionatit australian ku ishte aktivizuar në edicionin e fundit.
Basha vendosi të kthehej në Zvicër ku më parë ka luajtur me Laussanne e Luzerna, për të vazhduar në moshën 33-vjeçare atje. Një vendim që e largon edhe më shumë nga futbolli më i rëndësishëm, pas lamtumirës nga kombëtarja shqiptare e futbollit me të cilën luajti 33 ndeshje.
Kështu, ai tani e tutje do të ketë përballë Kukelin, i cili është një nga liderët e Kriens, Gashin i cili luan te Aarau, si dhe Ermir Lenjanin, i cili pak kohë më parë iu bashkua Grasshoper. Vetëm ky i fundit është ende pjesë e përfaqësueses shqiptare të futbollit.