Presidenti Trump është rikthyer në fushatë dje në mbrëmje dhe mbajti një fjalim energjik dhe luftarak për një orë në Floridan qendrore ku edhe pati mundësinë të demosnstronte rimëkëmbjen e tij nga COVID-19.
Trump e quajti sëmundjen “pozitive” pasi kjo i dha mundësinë të krijojë antitrupa në organizëm për të shmangur një ripërsëritje të mundshme të saj.
“Pjesa e bukur është se e kalova,” iu drejtua Trump turmës entuziaste që ishte mbledhur në mbështetje të tij.
“Tani mjekët thonë se jam imun. Ndihem kaq i fuqishëm sa do të futem mes jush në turmë. Do i puth të gjithë në këtë turmë.”
Ai nuk kishte maskë, dhe nuk kishin as shumë nga mbështetësit e tij të pranishëm në fjalimin e mbajtur nga presidenti aktual i SHBA-së, të cilët brohoritën me zë të lartë gjatë gjithë fjalës, sjellje e cila ndikon në përhapjen e virusit.
Nuk ka prova të bazuara të imunitetit të fituar nga njerëzit që kanë kaluar COVID-19. Por Trump nuk u tregua entuziast për të folur më shumë për specifikat e sëmundjes e cila ka vrarë rreth 215.000 amerikanë, apo për ndikimin e saj në ekonimi dhe arsim.
Trump në fjalimin e tij shpërndau maska për disa mbështetës dhe premtoi se një vaksinë së shpejti do të ishte në dispozicion dhe foli shumë pak për viktimat.
Por në pjesën më të madhe të fjalimit të tij ai tentoi të shmangte temën e pandemisë. Foli për një kthim në “jetën normale”, duke u bërë thirrje guvernatorëve të heqin kufizimet mbi bizneset, edhe pse rastet po rriten përsëri në shumë shtete.
Nëntë shtete shënuan rekorde javore për rastet e koronavirusit javën e kaluar, me 45.000 raste të reja të raportuara çdo ditë në të gjithë vendin.
Raste të reja pati në Shtëpinë e Bardhë ku më shumë se 30 persona që punojnë atje ose që kishin qenë së fundmi u infektuan.
Mjeku i Trump, Dr. Sean P. Conley, tha dje se presidenti rezultoi negativ për COVID-19 dy ditë me radhë. Por nuk tregoi kur presidenti bëri tamponët dhe kur mori përgjigjen e fundit negative.
Joe Biden, duke bërë fushatë disa orë më parë në territorin republikan në Ohio, denoncoi trajtimin e pandemisë nga Trump, përfshirë edhe infektimin e tij, ndërsa të dy kanë filluar një garë tre-javore për zgjedhjet e 3 nëntorit.
“Sjellja e tij që nga diagnostikimi me koronavirus ka qenë e papërgjegjshme”, tha Biden në një tubim në Toledo.
“Sa më gjatë, Donald Trump, të qëndrojë president, aq më i pamatur do bëhet”.
Është e vështirë që Trump të rizgjidhet pa 18 votat e kolegjit elektoral të Ohios dhe 29 të Floridas.
Ndryshe nga ai, Biden ka më shumë mundësi për një shumicë kolegji elektoral, edhe nëse ai humbet të dy shtetet.
Trump në 2016 fitoi në Ohio me 8 pikë dhe fitoi në Florida me më pak se 2 pikë.
Duke prezantuar Biden në sallën e sindikatës, kryetari i bashkisë së Toledos, Wade Kapszukiewicz tha se sondazhet e mbyllura në Ohajo janë një shenjë që Trump nuk ka përmbushur premtimet e tij për vitin 2016.
Nga ana e tij në fjalimin e mbajtur në Florida, Trump sulmoi, Biden.
“Kundërshtari im qëndron me socialistët dhe komunistët,” tha Trump, duke iu referuar banorëve kubanë e venezuelas të Amerikës. “Ai dëshiron t’i japë gjithçka Kubës.”
Ai akuzoi Biden se po planifikonte të hapte kufijtë e Amerikës.
“Hyni, të gjithë, nëse jeni vrasës, përdhunues, nëse jeni të infektuar me një sëmundje që mund të përhapet tek të gjithë”, tha Trump.
Përkthyer dhe përshtatur nga: Los Angeles Times/ F.H, konica.al