Kombëtarja shqiptare ka zbarkuar në tokën lituaneze me objektivin e “hakmarrjes”, teksa do të zhvillojnë ndeshjen e katërt në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë përshkruan një tjetër distancë të largët, nga Almaty për në Vilnus të Lituanisë për 5 orë.
Trajneri Edy Reja, në konferencën për shtyp, u shpreh se do të jetë një ndeshje tjetër me Lituaninë nga ajo e një muaji më parë. Tekniku italian u ndal edhe te lojtarët e rinj të thirrur në grumbullimin e fundit, teksa i vlerësoi maksimalisht këta të fundit.
“Performanca e Lituanisë në ndeshjen ndaj Shqipërisë ka qenë shumë e mirë. Kanë ushtruar presing të vazhdueshëm duke i hequr iniciativën ekipin tonë. Presingu në rritje dhe gabimet tona individuale shkaktuan pësimin e golit.
Gjithsesi jemi të vetëdijshëm se është një ekip me aftësi të larta teknike dhe do të mundohet që të njëjtë gjë ta ushtrojë dhe nëse. Do të përpiqemi që të gjejmë pikat më të dobëta të tyre, duke ushtruar presionin tonë dhe duke shfrytëzuar anët tona më të forta, për të arritur në objektivin tonë që është fitorja e ndeshjes.
Ekipi aktualisht ka 10 lojtarë të fituar, 10 lojtarë të rinj, 10 emra që janë ndjekur ngushtë nga stafet teknike dhe e meritojnë këtë grumbullim. Lojtarë të cilët kanë potenciale dhe aftësi shumë të mira. Eksperienca nuk janë vitet. Pasioni dhe kualitetet mund të shprehen edhe në moshën 20 vjeç, është çështje besimi dhe se sa ti dëshiron të japësh në fushë.
FSHF ka një program për të futur brezat e rinj si pjesë integrale e Kombëtares. Unë kam menduar ta bëja këtë hap mbas hapi, por kushtet më sollën që të merrja një numër kaq të lartë lojtarësh të rinj”, – u shpreh Reja.
Kapiteni Etrit Berisha gjykon se ndeshja në Lituani është kyçe për grupin ku bën pjesë Shqipëria, por edhe për të treguar sa vlejnë të rinjtë e afruar.
“Unë mendoj që Lituania luajti shumë mirë në ndeshjen e parë. Taktikisht kanë luajtur shumë mirë dhe na kanë vënë në vështirësi. Ndoshta edhe ne nuk e kemi bërë ndeshjen më të mirë që duhet të bënim. Por tani vlen ndeshja e nesërme, ku ne duhet të jemi jashtëzakonisht të përqëndruar dhe përgatitur.
Do të jetë një ndeshje kyçe për rrugëtimin tonë. Ndeshja kundër Kazakistanit ka qenë ndeshje pozitive, ku kam parë një grintë shumë më të mirë se kundër Lituanisë. Gjithë çunat e dinë rëndësinë e ndeshjes. Nesër duhet të japin 110% për të arritur objektivin tonë.
Kundër Lituanisë kemi humbur dhe nuk duhet të lejojmë që ata të marrin epërsinë. Në grup kemi lojtarë të rinj. Ka shumë prurje të reja për shkak edhe të mungesave. Djemtë e rinj kanë kualitete, por iu duhet kohë që të luajnë me Kombëtaren dhe të ambienton. Duhet të japim maksimumin e tyre. Ne më të vjetrit duhet t’i ndihmojmë me të gjitha mënyrat”, u shpreh Etrit Berisha.
Kombëtarja do të ndeshet nesër në 18:00 me orën e Tiranës në kryeqytetin lituanez Vilnus. Ashtu, si në Kazakistan, edhe ndaj Lituanisë, kuqezinjtë do të luajnë në fushë me bar artificial.