MENU
klinika

Me detyrim nga nesër

Të gjitha rregullat kur duhet ta mbani maskën jashtë shtëpisë

14.10.2020 - 11:17

Prof. Albana Fico, Drejtore e ISHP tregoi sot se kur duhet të mbahet maska nga dita e enjte, 15 tetori.

Duke filluar nga dita e nesërme, datë 15 Tetor, mbajtja e barrierave mbrojtëse (maskave) do të jetë e detyrueshme për t’u mbajtur kudo në ambientet jashtë shtëpisë, me qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme të COVID-19.

Përveç maskave mjekësore një përdorimëshe, barrierat mbrojtëse të fytyrës që përdoren në komunitet, përfshijnë forma të ndryshme të maskave komerciale ose të përgatitura në mënyrë artizanale nga tekstili ose materiale të tjera.
Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar.
Përdorimi i barrierës mbrojtëse duhet të konsiderohet vetëm si një masë plotësuese dhe jo si zëvendësim i masave parandaluese. Ajo duhet të zbatohet së bashku me distancën fizike 1.5 – 2 m dhe higjienën e duarve.

PËRDORIMI KORREKT I BARRIERËS MBROJTËSE (MASKËS)
Kërkon që:
– Maska e fytyrës duhet të mbulojë plotësisht hundën, gojën dhe mjekrën.
– Është e rëndësishme të pastrohen duart me sapun dhe ujë ose desinfektues duarsh me bazë alkooli përpara se të vendoset dhe hiqet maska.
– Maska nuk duhet të preket kur vendoset.
– Maska duhet të hiqet nga pas, duke shmangur prekjen e përparme të saj duke palosur qoshet e jashtme së bashku.
– Maska kirurgjikale hidhet në koshin e mbetjeve pas heqjes.
– Maska jo mjekësore prej tekstili, e ripërdorshme pasi hiqet duhet të lahet pas çdo përdorimi, duke përdorur larës të zakonshëm në 60° C.

KUR DUHET TË MBAHET MASKA
Barriera mbrojtëse (maska) duhet patur gjithmonë me vete. Përdorimi i barrierës mbrojtëse (maskës) jashtë shtëpisë rekomandohet parimisht në këto raste:
a. Sa herë dilni nga shtëpia;
b. Çdo individ mbi moshën 11 vjeç;
c. Gjatë të gjithë ditës gjatë të gjithë veprimtarisë jashtë banesës.
d. Në çdo dyqan, supermarket apo aktivitet tregtar
e. Në të gjitha mjetet e transportit publik dhe jo publik kur në to gjenden persona të tjerë përveç drejtuesit të automjetit.
f. Edhe gjatë ecjes në rrugë
g. Gjatë qëndrimit në të gjitha vendet publike të hapura si park apo shesh
h. Gjatë të gjithë aktivitetit të punës në zyra, të gjithë institucionet publike dhe jo publike, teatër, kinema, muze, biblioteka, etj
i. Në hyrje dhe dalje nga banesa si dhe ashensorë
j. Përpara dhe pas konsumit të ushqimit në bare dhe restorante
k. Në motoçikletë kur merr një person tjetër jo anëtare të familjes
l. Nëse jeni duke u kujdesur në shtëpi për një familjar me COVID-19
m. Në të gjitha institucionet fetare.
n. Nga personat që e kanë kaluar SARS COV -2 për t’u mbrojtur nga shkatarët e tjerë infektivë respiratorë.
o. Në institucionet arsimore dhe ato të kujdesit shëndetësor sipas rekomandimeve të mëparshme.
MODIFIKIMET E PËRDORIMIT TË BARRIERËS MBROJTËSE MASKËS
Ka disa raste që ju lejohet ta hiqni barrierën mbrojtëse apo të modifikoni përdorimin e saj:
a. Nëse kërkohet për qëllime të identifikimit personal nga zyrtarët përkatës në polici, në bankë, postë, gjykatë, etj
b. Gjatë ngrënies apo konsumimit të pijeve por në hyrje e në dalje nga baret dhe restorantet maska duhet të vendoset.
c. Gjatë proçesit të manipulimeve dentare por në hyrje e në dalje nga klinika maska duhet të vendoset.
d. Nga personat që mbajnë/drejtojnë lutjen/shërbesën/ceremoninë fetare
e. Nga persona me humbje të dëgjimit dhe të folurit ose për personat gjatë kohës së komunikimit me ta, nëse nuk kanë mundësi të përdorin maska të posaçme (trasparente).
f. Nëse kërkohet nga stafi i dyqaneve ose marketeve përkatëse për identifikim të moshës, përfshirë blerjen e produkteve me moshë të kufizuar, siç janë duhani dhe alkooli
g. Nga punëtorët që punojnë në ambjente të jashtme, gjatë procesit të punës kur sigurohet distance fizike jo më pak se 1.5m.
h. Nga të ftuarit në emisonet televizive me kusht që të ruhet distanca jo më pak se 1.5 metra.