MENU
klinika

Lufta zgjat prej dekadash...

Përse nuk ka armëpushim në Nagorno-Karabak?

14.10.2020 - 18:39

Lufta më e fundit në Nagorno-Karabak është në javën e tretë të saj. Azerbajxhani, i cili po mbron territoret e tij, është fuqia mbizotëruese në terren.

Ndryshe nga luftimet e mëparshme, forcat e armatosura të Azerbajxhanit kanë filluar të çlirojnë disa pjesë të tokave që ndodheshin nën kontrollin e Armenisë për 30 vjet.

Duket se Baku ka rritur kapacitetin e tij ushtarak dhe tani e tutje, do të jetë gjithnjë e më e vështirë për Jerevanin të mbajë kontrollin e tij mbi territorin e Azerbajxhanit.

Ndërsa po humbet terren në Nagorno-Karabak, Jerevani ka filluar t’u kërkojë fuqive rajonale dhe globale të ndërhyjnë në konflikt në emër të tij.

Rusia, fuqia më e rëndësishme në rajon, refuzoi ftesën e kryeministrit armen, Nikol Pashinian, me pretendimin se forcat e armatosura të Azerbajxhanit kanë luftuar në territoret e tyre, jo në Armeni.

Rusia, megjithatë, ka deklaruar se për të Armenia ka rëndësi dhe gjithashtu mban përgjegjësi për të.

Qeveria ruse ka një problem me qeverinë aktuale armene, e cila dihet se është pro-amerikane.

Vetëm pasi Jerevani të ndryshojë politikat e tij pro-amerikane, Rusia do të vendosë të ndërhyjë në betejë në emër të Armenisë.

Kur Pashinian ndërmori disa hapa pro Rusisë në politikën e brendshme, Moska filloi të përfshihej në konfliktin e Nagorno-Karabakut dhe pas asaj ndërhyrjeje, palët ndërluftuese kanë rënë dakord të ulen në tryezën e negociatave në Moskë.

Pas një takimi 10 orësh, Ministria e Jashtme e Rusisë i shpjegoi botës se fqinjët në konflikt midis tyre, ranë dakord të shpallnin një armëpushim humanitar të shtunën e kaluar.

Armenia, megjithatë, nuk iu bind kushteve të marrëveshjes dhe e shkeli armëpushimin disa orë më vonë. Duke bërë këtë gjë ka treguar edhe një herë qëndrimin e saj negativ ndaj kompromiseve.

Pse pala armene kërkoi me këmbëngulje një armëpushim vetëm për ta refuzuar më tej atë? Ka disa përgjigje të mundshme për këtë pyetje.

Së pari, ushtria e vendit ishte në prag të kolapsit.

Kur forcat ajrore të Azerbajxhanit kryen një operacion të suksesshëm kundër objektivave tokësorë armene, ajo shkatërroi dhjetëra automjete të blinduara dhe disa armenë u larguan nga fronti në rajone të ndryshme të konfliktit.

Së dyti, pala armene dëshiron të arrijë një armëpushim për të fituar ca kohë. Jerevani e di se i duhet një pushim për të rivendosur fuqinë e tij.

Armenia dëshiron të forcojë kapacitetin e saj luftarak sepse disa vende, të tilla si Rusia dhe Franca, mund të dërgojnë armë dhe municione. Për më tepër, duke deklaruar armëpushimin, Jerevani dëshiron të rivendosë status kuo-në, e cila është në favor të Armenisë.

Së treti, armenët duan një ndalje të luftimeve nën patronazhin e Moskës, mbështetësit kryesor të Jerevanit gjatë pushtimit të Nagorno-Karabakut dhe rajoneve të tij përreth. Që nga ajo kohë, Rusia është mbrojtësi kryesor i vendit.

Ata ende vazhdojnë të mbështesin shtetin armen, në të cilin kanë shumë baza ushtarake dhe të cilëve u ofrojnë armë.

Moska, megjithatë, dëshiron të ndëshkojë kryeministrin aktual të Armenisë, i cili është një politikan pro-amerikan.

Prandaj, Rusia do të lejojë sulmet e Azerbajxhanit derisa Moska të arrijë objektivat e saj në lidhje me Jerevanin.

Së katërti, forcat e armatosura armene shkelën armëpushimin dhe rifilluan bombardimin e civilëve në qytete të ndryshme të Azerbajxhanit.

Jerevani e di mirë që bota pa qartësisht shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës në vitet 1990.

Prandaj, Armenia ndihet e lirë të shkelë të drejtat e njeriut dhe të kryejë krime lufte sa herë që dëshiron.

Për shembull, përkundër rrëfimeve nga autoritetet armene, asnjë organizatë ndërkombëtare nuk ka fajësuar Jerevanin për masakrën në Khojaly në 1992.

Së pesti, Armenia dëshiron të vazhdojë sulmet e saj në Nagorno-Karabak për aq kohë sa të arrijë të deklarojë aneksimin e saj.

Për shembull, sipas Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, shteti izraelit ka të drejtë të aneksojë Lartësitë e Golan, që i përkasin Sirisë, sepse ai ka pushtuar rajonin për më shumë se 50 vjet.

Me fjalë të tjera, Jerevani pret që nëse vazhdon të kontrollojë, Nagorno-Karabakun, një ditë mund të gjejë një mundësi për të aneksuar tokën.

Sa më gjatë që Armenia kontrollon territorin, aq më e vështirë bëhet kthimi i rajonit tek pronari i saj i vërtetë.

Në përgjithësi, një armëpushim i qëndrueshëm është pothuajse i pamundur në Nagorno-Karabak sepse Armenia dhe mbështetësit e saj kryesorë do ta detyrojnë Azerbajxhanin të kryejë negociata, pafund.

Asgjë konkrete, megjithatë, nuk do të dalë nga këto negociata. Status kuo-ja, që do të thotë vazhdimi i pushtimit, do të ruhet.

Prandaj, duke ndjekur një politikë irredentiste dhe ekspansioniste, Armenia, e cila është e mbyllur në det dhe e gjendur midis Turqisë dhe Azerbajxhanit, nuk do të ndihet kurrë e sigurt.

Në kushtet aktuale, me pushtimin e tokave azerbajxhanase nga Jerevani dhe mosnjohjen e kufijve të saj me Turqinë dhe Azerbajxhanin, as siguria e Armenisë nuk është e qëndrueshme.

Përkthyer dhe përshtatur nga: Dailynews/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN