Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë një ngjarje ndërkombëtare. Për dekada, çështja se kush do vendoset në Shtëpinë e Bardhë ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e ekonomisë botërore, në politikën e trazuar të demokracive dhe në konfliktet që zhvillohen në vende të ndryshme.
Ndërsa Amerika i afrohet vendimit që mund të ketë më shumë pasoja në 10 vitet e fundit vlen të bëhet një analizë mbi rolin që zgjedhjet në SHBA kanë në qeveritë e gjithë botës.
Për disa vende mundësia e rikthimit të Trump në pushtet nuk pritet aspak mirë.
Degradimi i marrëdhënieve të tij diplomatike duke nisur nga kërcënimet në Twitter deri tek prishja e traktateve, lëkundi aleancat e kahershme të SHBA-së.
Përqafimi nga ana e Trump i politikës së ekstremit të djathtë brenda vendit dhe fillimi i luftërave tregtare jashtë tij, vuri fort në dyshim të ardhmen e rendit botëror liberal.
Kundërshtarët (e supozuar) të SHBA-së, Kina dhe Rusia, e shohin në një mandat të dytë të Trump si shkatërrimin e mëtejshëm të aleancave të shekullit të 20-të dhe me shumë mundësi kjo do sillte edhe një rrëzim e SHBA-së nga ‘skena botërore’.
Sfiduesi i Trump, Joe Biden, ka premtuar një lloj rigjenerimi të raporteve. Ai mund të nxisë edhe veprimin kolektiv mbi sfidat ndërkombëtare të tilla si ndryshimi i klimës dhe pandemia e koronavirusit.
Por nuk do t’i kthejë me magji Shtetet e Bashkuara në epokën e padiskutueshme të superioritetit amerikan në botë, një epokë që tashmë duket se po zbehet…
Ja se çfarë nënkuptojnë zgjedhjet e ardhshme në SHBA për disa vende kryesore në të gjithë globin.
Çfarë nënkuptojnë zgjedhjet në SHBA për Rusinë?
Për gjysmë dekade, prezenca e Rusisë ka ndjekur politikën e SHBA. Operacionet për ndikim nga ana e Moskës luajtën rol të në fitoren e papritur të Trump në zgjedhjet 2016.
Sapo mori pushtetin, Trump hyri në betejë ligjore për shkak të kontakteve gjatë fushatës së tij me agjentët e Kremlinit, akuzat rënduan mbi të në vazhdimësi por Trump iu shmang duke thënë se gjithçka ishte mashtrim gjithsesi disa kolegë të tij u paditën penalisht.
Çfarë ka fituar Moska nga përpjekjet e saj për të mbjellë kaos në skenën e brendshme të politikës amerikane?
Rusia është në një vend më i dobët sot se në 2016-ën. Ekonomia e saj është goditur për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe me një popullatë që vijon të jetë e ndrydhur për shkak të drejtimit të vendit nga Putin.
Tani, ndërsa shanset e Biden për fitore në zgjedhje rriten, sipas sondazheve, rubla ruse po pëson rënie nga frika se një ndryshim në administratën amerikane mund të çojë në rritjen e sanksioneve ndaj Rusisë. po ashtu Rusia druhet se me ardhjen e Biden në krye marrëdhëniet SHBA-Rusi do ftohen edhe më shumë.
Çfarë nënkuptojnë zgjedhjet në SHBA për Kinën?
Prej momentit kur në SHBA u vendos si president Donald Trump, një “Luftë e Ftohtë” e re është duke u zhvilluar me Kinën, të paktën sipas Uashington. Katër vjet, Trump ka njoftuar vazhdimisht në Twitter tarifat dhe sanksionet që ka vendosur ndaj Pekinit, çfarë solli prishjen e linjave gjeopolitike dhe hodhi bazat për një garë midis fuqive të mëdha dhe kjo gjë do ketë ndikimin e saj edhe në vitet e ardhshme.
Për një mori çështjesh botërore, Kina cilësohet si një shtet “i keq” nga SHBA: Taktikat e saj tregtare shihen si të padrejta dhe të dyfishta, qeveria e saj shihet si një laborator që prodhoi virusin famëkeq që ka pushtuar botën, kompanitë e saj teknologjike cilësohen sikur të jenë në rolin e “Kalit të Trojës” për pjesën tjetër të botës dhe shtypja e saj ndaj pakicave etnike në Xinjiang dhe protestuesve pro-demokracisë në Hong Kong shihen si emblemat e gjigantit autoritar të shekullit 21-të.
Çfarë nënkuptojnë zgjedhjet në SHBA për Britaninë?
Kryeministri britanik, Boris Johnson e bazoi karrierën e tij politike kundër Bashkimit Evropian dhe fitoi.
Duket qartë se kë do të mbështesë në zgjedhjet e SHBA: Trump është i vetëshpalluri “Z. Brexit”.
Pastaj është Biden. Ish-zëvendëspresidenti amerikan nuk është z. Brexit. Shefi i tij i vjetër, ish-presidenti Barack Obama, e kritikoi votimin për Brexit.
Lidhur me këtë qëndrim të Obamës, Johnson reagoi ndërsa tha se e gjithë kjo antipati e tij ndaj britanikëve vinte prej prejardhjes së pjesshme nga Kenia.
Çfarë nënkuptojnë zgjedhjet amerikane për Lindjen e Mesme?
Për njerëzit e zakonshëm që jetojnë në vendet në krizë në Lindjen e Mesme, nuk ka shumë rëndësi nëse Trump ose sfiduesi i tij Demokrat fiton zgjedhjet.
Biden dhe Trump përfaqësojnë dy të ardhme të ndryshme për disa nga elitat politike të rajonit, veçanërisht udhëheqjen në Izrael dhe një tufë monarkish arabe të pasura me naftë.
Ata e mbështetën Trumpin ndërsa ai po përpiqej të përmbyste arritjet kryesore të paraardhësit të tij në rajon duke ndaluar pjesëmarrjen amerikane në marrëveshjen bërthamore të Iranit duke vendosur përsëri sanksione dhe duke nxitur “presionin maksimal” ndaj regjimit në Teheran.
Po ashtu Trump ndoqi një qasje të re ndaj procesit të paqes Izraelito-Palestineze që favorizonte plotësisht interesat e së djathtës izraelite. Këto përpjekje u pritën me zemërim nga palestinezët.
Çfarë nënkuptojnë zgjedhjet amerikane për Kanada-në dhe Meksikë-n?
Ka qenë e ndërlikuar të qënit fqinj me SHBA për Kanadanë dhe Meksikën gjatë qeverisjes së Trump. Trump njoftoi kandidaturën e tij për Shtëpinë e Bardhë në 2015 me një sulm të vrazhdë mbi Meksikën dhe u zotua që do vendoste një mur ndaj saj në kufirin jugor të SHBA.
Po ashtu ai krijoi konflikt me Kanadanë duke e quajtur kryeministrin kandaze, Justin Trudeau “njeri jo të ndershëm dhe të dobët”.
Vetëm në vitin e fundit të presidencës së tij, Trump u mundua të krijojë marrëdhënie më të mira si me Kanadanë ashtu edhe me Meksikën.
Përkthyer dhe përshtatur nga: The washington post/ F.H, konica.al