MENU
klinika

I dënuar me 9 vjet

Përdhunoi shqiptaren, kërkohet ndalimi i Robinhos

15.10.2020 - 17:12

Braziliani Robinho ka shkëlqyer në fushë me ekipet më të mira në Europë, nga Real Madrid, Manchester City apo Milan, pa harruar kombëtaren braziliane, por ai ka një njollë shumë të madhe jashtë fushe.

Mbi të rëndon një dënim për përdhunim në Itali, dhënë nga gjykata e Milanos 2017. Viktima, atëherë 22 vjeçare, është shqiptare. Ngjarja ndodhi në vitin 2013 në një nga diskotekat e Milanos, kur Robinho luante për kuqezinjtë e këtij qyteti. Robinho është dënuar me 9 vjet për këtë ngjarje.

Tashmë, pasi luajti në Turqi, drejtuesit e Santos në Brazil këmbëngulën me forcë për të rikthyer në gjirin e ekipit yllin e dikurshëm të skuadrës. Robinho ka hapur polemika të mëdha. Mediat dhe opinioni publik kanë reaguar me tone të forta, duke kritikuar ashpër drejtuesit e Santosit, në lidhje me vendimin për të rikthyer në skuadër një lojtar me probleme të tilla.

robinho

Pas kritikave të shumta tani kanë filluar edhe veprimet konkrete, që po e vendosin klubin e mirënjohur paulist gjithmonë e më në vështirësi. Pasojat e para filluan të ndihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në aspektin financiar, sepse pas presionit të madh të opinionit publik klubi bëhet gati të humbasë njërin prej sponsorëve kryesorë.

Ndërkohë janë të shumtë edhe sponsorët e tjerë që reaguan pa humbur kohë, natyrisht të pakënaqur nga dëmtimi i imazhit dhe vënia e emrit të tyre përbri atij të Robinho-s. Nuk ka munguar gjithashtu edhe një ankesë zyrtare e paraqitur në Gjykatën e Lartë Sportive nga ana e 13 organizatave të ndryshme që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave.

Në aspektin juridik dosja e tij është akoma e hapur, siç vë në dukje edhe vetë pala mbrojtëse, që apeloi menjëherë çështjen pas dënimit të Robinho-s nga ana e Gjykatës së Milanos, sidoqoftë pavarësisht vonesave, shtyrjeve dhe ndërprerjeve të shumta gjithçka mund të qartësohet brenda këtij viti, duke patur parasysh që seanca e radhës është përcaktuar të mbahet më datën 10 dhjetor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN