MENU
klinika

Nën drejtimin e Erdogan

Si e militarizoi Turqia politikën e saj të jashtme?

16.10.2020 - 21:01

“Zero probleme me fqinjët”, ky ishte dikur lajtmotivi që drejtonte Turqinë.

Tani nga kjo ka mbetur shumë pak… Një përqëndrim i vazhdueshëm në rritjen e fuqisë ushtarake për të plotësuar interesat e saj e ka futur Turqinë në konflikte me gjithë fqinjët përreth saj ndërsa sfidon rivalët dhe aleatët e dikurshëm.

Përfshirja më e fundit e Turqisë në konfliktin azero-armen solli jo pak shqetësim në Kaukaz po edhe tek shtetet e tjera në momentin kur Erdogan shprehu publikisht mbështetjen për Azerbajxhanin me armatime dhe ushtarë.

Ky qëndrim tregon gatishmërinë e Ankarasë për të arritur me armë dhe ushtri atë që nuk ka mundësi ta arrijë me anë të diplomacisë.

“Turqia ka arritur fuqinë për të kryer veprime ushtarake. Ne kemi përmbysur plotësisht politikat e të tjerëve që kanë tentuar të na nënshtrojnë me vendimet e marra pa ne për të gjitha çështjet rajonale dhe globale.”

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Turqia ka zemëruar fqinjët e saj dhe ka sfiduar shpesh Rusinë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara duke organizuar dy operacione ushtarake në Siri, për të vendosur komandon e saj në Irak, për të ndryshuar rrjedhën e luftës në Libi dhe duke dërguar anije luftarake për të kërkuar hidrokarbure në ujërat e Mesdheut Lindor që e fusin në konflikt dhe me Greqinë dhe Qipron.

Kohët e fundit, Armenia, me të cilën Turqia nuk ka lidhje diplomatike, e ka akuzuar atë për nxitjen e luftës së re të Nagorno-Karabakhut ndërsa konflikti ishte i ngrirë prej kohësh.

Një qëndrim i tillë në këto konflikte nga ana e Turqisë nuk është për të rritur popullaritetin e saj pavarësisht se kjo vetiu ka ndodhur.

“Kjo është diplomaci por me mjete të tjera, përmes së cilës Turqia po kërkon të ketë fitime ekonomike, diplomatike dhe nganjëherë territoriale, pra të marrë më shumë fuqi. Shumica e shteteve rajonale dhe perëndimore nuk janë të kënaqur me agresivitetin e Turqisë, por deri më tani ajo po punon kryesisht për turqit,” tha Alan Makovsky, një ish-punonjës i Departamentin të Shtetit në SHBA.

Tendencat për fuqizim nga ana e Turqisë kanë përmbysur luftën civile në Libi, ku mbështetja e saj ushtarake për qeverinë e njohur nga OKB ktheu rrjedhën kundër një komandanti rebel të mbështetur nga Franca, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ajo gjithashtu arriti marrëveshje energjetike me Tripolin që mund të komplikojë përpjekjet e shteteve të tjera mesdhetare për të shfrytëzuar gazin natyror nën shtratin e detit. Kërcënimet për sanksione nga Bashkimi Evropian mbi lojën e saj të pushtetit në Libi dhe Detin Mesdhe deri më tani kanë dështuar.

Ankaraja ka arritur gjithashtu të shmangë sanksionet që Shtetet e Bashkuara thanë se do të vendosnin mbi blerjen e saj të një sistemi raketash ruse të krijuara për të rrëzuar avionët e NATO-s.

Qëndrime të tilla kanë bindur Ankaranë se është një pikë e rëndësishme strategjike qoftë për shkak të bazave ushtarake turke të përdorura nga NATO apo edhe prej kërcënimit të Erdogan për të “hapur dyert” drejt Evropës për miliona refugjatë.

“Turqisë i është thënë prej kohësh se është shumë e domosdoshme për Perëndimin, duke i dhënë kështu një prirje epërsie,” tha Salih Bıçakcı, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has të Stambollit.

Nga zero probleme në zero miq

Për dekada, pikëpamja e orientuar drejt perëndimit e Turqisë kryesisht i përmbahej përshkrimit të themeluesit të republikës moderne Mustafa Kemal Atatürk për “paqen në shtëpi, paqen në botë”. Gjatë gjysmës së parë të 17 viteve të tij në pushtet, Erdogan filloi ndërtimin e lidhjeve tregtare dhe diplomatike në të gjithë rajonin me parullën “zero probleme me fqinjët”.

“Por tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Lindja e Mesme dhe mungesa e Bashkimit Evropian për një front të unifikuar kanë hapur një boshllëk në të cilin Turqia mund të veprojë me forcë e vetme”, tha Senem Aydin-Düzgit, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Sabanci të Stambollit.

Por Turqia nuk është i vetmi vend që po përfiton nga ky boshllëk dhe nga mungesa e SHBA dhe e BE.

Hidhërimi me Egjiptin, si dhe tensionet me Qipron dhe Izraelin, e mbajtën Turqinë jashtë marrëveshjes kur ata dhe shtetet e tjera bregdetare mesdhetare hartuan zona ekskluzive ekonomike.

Gabimet e kaluara politike, duke përfshirë mos hapjen e kanaleve të nevojshme diplomatike, e kanë lënë Turqinë më vete, pa asgjë më tepër veç instrumenteve ushtarake në dispozicion të saj.

Trupat turke tanimë janë të pranishme në 9 vende nga Iraku në Somali dhe në Qipro. Po ashtu drejtojnë një bazë të madhe ushtarake në Katar. Turqia drejton edhe disa pjesë të veriut sirian.

Qeveria turke ka dyfishuar armatimet në dhjetë vitet e fundit dhe pritet të ketë armë plotëisht të vetat Brenda vitit 2023.

Erdogan po mendon për armë e ushtri edhe në këto momente të vështira për vendin nga ana ekonomike.

Erdogan justifikon vështirësinë ekonomike të vendit të tij me faktin se është çmimi që populli duhet të paguajë për këtë luftë me vende të tjera që Turqia po e përballon e vetme.

Përkthyer dhe përshtatur nga: Politico/ F.H, konica.al 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



2 liderë të fuqishëm janë gati për negociata me rusët

Zelensky shpalos “Planin e Fitores”, një “shuplakë” erdhi nga BE

Ministri Katz: Arritje e rëndësishme për ne!

Izraeli konfirmon vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar!

"Parashikohen ndryshime radikale"

Le Pen dhe e ardhmja e BE-së

Çfarë janë “dronët fantazmë”?

Situata në gadishullin Korean del jashtë kontrollit!

Gara midis Trump dhe Harris mbetet në “ngërç”

Çfarë i duhet secilit kandidat për të fituar epërsi në sondazhe