Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka qenë sot pranë grave, punonjëseve të rafinerisë, të cilat janë në ditën e tretë të grevës së urisë.
Gjatë vizitës së saj, Kryemadhi tha se duhet zgjidhur i gjithë problemi në rafineri dhe jo vetëm pagat e prapambetura, në mënyrë që familjet e tyre të jenë të qeta.
Por, gjatë bisedës, një prej grave, la të nënkuptohet se mes tyre kishte gra me kancer gjiri, teksa përmendi muajin rozë të tetorit.
“Unë dua të ha nuk dua teserë partie. Sot diskutohet buka. Kemi punuar 30 vite në arin e zi. Ne kemi naftën dhe e shesim ndërkohë që e gjithë bota lufton për ta. Ju falenderojmë që erdhët dhe ju përgjigjet thirrjes sonë. Ishalla i përgjigjen edhe shumë zonja të qeverisë. jemi në një muaj të dhimbshëm, në muajin Tetor të kancerit të gjirit. Dhe e them me bindje të plotë, se këtu, në rangun këtu ka gra me këto probleme. E mendoni se çfarë sakrifice po bëjmë. E mendoni që nuk po arrijmë të shkojmë të shohim njerëzit,”– tha gruaja.
E ndërsa Kryemadhi e krahasoi grevën e tyre me braktisjen e mandateve, teksa tha se deri në momentin që heqin dorë përfundimisht, nuk kujtohet njeri për ta.
“Nuk dua të përfshihem politikisht dhe kjo edhe keqkuptohet. Ne e kemi më të vështirë si gra të vijmë se përfshihemi emocionalisht. Të jesh grua në shtëpi, të mbash fëmijët e punët por të punosh edhe në naftë dhe të mos paguash… Unë mendoj për zgjidhjen e cila nuk është vetëm te pagat, por te vazhdimësia e cila është ndër gjërat e panegociueshme. Njerëzit nuk e dinë pse jeni në grevë urie. Njerëzit nuk e dinë që kjo ka ndodhur me një firmë. Unë po e studioj këtë si histori. Që kur nisi protesta për Poçemin. Unë mendoj se evidentimi i problematikave është mjaft i rëndësishëm. Pozicioni juaj është si djegia e mandateve tona, që po nuk bëmë një hap të tillë nuk kujtohet njeri për ne,”– tha Kryemadhi.
Para tre ditësh, pas 18 ditësh në grevë urie, 10 naftëtarë të Ballshit u zëvendësuan nga punonjëset e kësaj rafinerie. Ndërkohë kreu i sindikatës Sokol Dautaj zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanisë së uzinës, ku nuk u arrit asnjë marrëveshje. Dautaj tha se në takim u dhanë vetëm premtime boshe.