MENU
klinika

Nga ligji i luftës te minoriteti, çështja e detit dhe ajo çame

Analiza e profesorit grek: Ja gabimet serioze që ka bërë Shqipëria ndaj nesh dhe klima negative prej refugjatëve!

19.10.2020 - 14:23
  • Nga Kostandinos Filis*

Pandemia e SARS-COV 2 funksionon si një katalizator zhvillimesh. Në fushën ndërkombëtare, dinamika drejt një sistemi ndërkombëtar më anarkik dhe me më shumë pole, ekzistonte që më përpara, por sot kjo dinamikë përshpejtohet. Ndarjet midis faktorëve të fuqishëm, duke marrë si shkas bile edhe përgjegjësinë për përhapjen e Covid-19, por edhe për të qenë flamurtarë në zhvillimin e vaksinës, janë të thella dhe përqendrohen në interesat e tyre të papërputhshme në fusha të ndryshme (gjeopolitike, ekonomi-tregti, teknologji të reja etj.). Pra, në vend të bashkëpunimit dhe të nismave të përbashkëta për përballimin të paktën të pandemisë, po shohim akuza dhe demonizim të ndërsjellët në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe më të ndërvarur. Gjithashtu, sot po konstatohet një kthesë drejt proteksionizmit dhe nacionalizmit, por edhe bunkerizim në kufijtë dhe interesat nacionalë, si një zgjidhje gjoja kundrejt sfidave të globalizmit.

BE-ja, nga ana e saj, pas dy krizave të mëdha të dhjetëvjeçarit të fundit, krizës ekonomike dhe asaj të refugjatëve dhe të emigrantëve, të cilat nuk i menaxhoi në mënyrë veçanërisht efikase, ftohet tani që të përballet me një sërë sfidash si në rrafshin e brendshëm, me tendencën që po shfaqin shtete anëtare drejt autoritarizmit dhe distancimin e tyre nga vlerat europiane, ashtu dhe në rrafshin e jashtëm, me dy fqinjë të fuqishëm, siç janë Rusia dhe Turqia, por edhe me rreziqet që rrjedhin prej kundërvënies midis Kinës dhe SHBA-së. Për sa i përket zgjerimit, është e qartë se ka lodhje dhe shqetësim, por edhe konstatim të faktit se është e nevojshme që integrimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut të përfundojë në një mënyrë sa më të drejtë, duke iu shmangur gabimeve të së kaluarës. Për sa u përket çështjeve thjesht dypalëshe, Athina dhe Tirana ftohen që të korrigjojnë gabime të së kaluarës dhe të konsolidojnë kanalet e komunikimit në drejtim të çlirimit të tyre prej zërave ekstremistë brenda dhe jashtë dy vendeve, të cilat nuk e dëshirojnë zhvillimin e marrëdhënieve strategjike.

Sot, çështja numër një midis Shqipërisë dhe Greqisë është klima e mosbesimit, të cilën e ushqejnë qarqe të caktuara. Për fat të keq, në Shqipëri është konsoliduar një klimë antigreke, e cila sigurisht që nuk përfaqëson shoqërinë shqiptare në tërësinë e vet, por ndërkohë, me këtë klimë përplasen çdolloj përpjekjesh që bëhen për zgjidhjen e mospajtimeve tona. Ne konstatojmë se kundërshtimi ndaj Greqisë “është një mall që shitet” dhe kthehet në produkt shfrytëzimi prej forcave politike, në varësi të asaj nëse gjenden në pushtet apo në opozitë. Domethënës është fakti se për çështjen e delimitimit të zonës ekskluzive ekonomike, qeveria e sotme e Shqipërisë, duke akuzuar opozitën e tanishme, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese dhe ia arriti të rrëzonte marrëveshjen përkatëse, ndërsa sot rolet kanë ndryshuar: me opozitën që po akuzon qeverinë për tolerancë dhe lëshime kundrejt Greqisë, pasi Kryeministri i Greqisë shpalli paraprakisht qëllimin e Athinës që të zgjerojë ujërat e saj territoriale në Jon në 12 milje detare. Në këtë pikë do të duhet të nënvizojmë sa më poshtë:

Së pari, zgjerimi i ujërave territoriale përbën një të drejtë të njëanshme shtetërore që bazohet në Konventën mbi të Drejtën e Detit të vitit 1982 (Montego–Bay). Megjithatë, në shenjë respekti kundrejt fqinjëve të saj, pala greke informoi paraprakisht si Shqipërinë, ashtu edhe Italinë, për qëllimin e saj që të ndërmarrë nismën në fjalë.

Së dyti, Greqia po ndjek rrugën e drejtë me qëllim që të arrijë marrëveshje delimitimi me shtete fqinje, rrugë që nuk është tjetër veçse ajo e negocimit, në mirëbesim dhe predispozicion për gjetjen e një formule reciprokisht të pranueshme. Greqia nuk tenton që të imponojë dëshirat e saj dhe as që nënshkruan marrëveshje në kundërshtim me rregullat. Një provë e fortë për këtë është Marrëveshja e Prespës me Maqedoninë e Veriut, e cila zgjidhi mosmarrëveshje që ekzistonin prej vitesh, janë Marrëveshjet e delimitimit të ZEE me Italinë dhe Egjiptin, është gjithashtu respektimi i plotë i procedurave të brendshme të Shqipërisë, të cilat, në fund të fundit, shfuqizuan një marrëveshje që ishte nënshkruar në vitin 2009.

Bile Athina e ka bërë të qartë që nëse konstatohet se negociatat me Tiranën nuk mund të japin fryte, atëherë zgjedhja e arsyeshme do të ishte që të dyja vendet së bashku t’i drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Këtu duhet nënvizuar fakti se Greqia nuk e shfrytëzoi fare “kartën europiane” për të ushtruar presion mbi Shqipërinë në mënyrë që eventualisht Shqipëria të bënte lëshime të padëshirueshme në lidhje me çështjen e zonave detare. Është e tepërt të përmend këtu faktin se vende fqinje, që dukshëm zbatojnë politika agresive rishikuese, po të ishin në vend të Greqisë, do të kishin ushtruar shantazh mbi palën shqiptare për të siguruar lëshime nga ana e saj.

Sa për integrimin e Shqipërisë në BE, kjo përbën një dëshirë të palës greke që duhet konsideruar e mirëqenë, e cila bile, duke pasur eksperiencë tashmë mbi çështjet institucionale dhe mënyrës së funksionimit të BE-së, ka shfaqur dëshirën që t’i ndihmojë autoritetet shqiptare në mënyrë që përshtatja me standardet europiane të bëhet në mënyrë normale dhe efikase. Meqenëse anëtarësimi në BE ka si parakusht plotësimin e 35 kapitujve, është e sigurt se Shqipëria, ashtu sikundër edhe Maqedonia e Veriut, do të kenë nevojë në çdo hap përpara që do t’i sjellë më afër BEsë, për mbështetjen dhe ndihmën e Greqisë, e cila gjendet në bërthamën e ngushtë të BE-së dhe është anëtare e saj që në vitin 1980.

Veç kësaj, një çështje me rëndësi kritike për Athinën është trajtimi i minoritetit grek që jeton në Shqipëri. Prej qeverive shqiptare janë bërë gabime serioze, të cilat disa herë të bëjnë të mendosh mbi ekzistencën e një plani strategjik manipulimi të tij, gabime të cilat duhet të korrigjohen menjëherë. Kjo çështje është një pengesë e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, dhe sigurisht që pala greke nuk do të tolerojë. Pala greke nuk ka asnjë plan apo objektiv të fshehtë, ajo nuk ka nxitur asnjëherë tensione, të vetmen gjë që dëshiron është respektimi i plotë i të drejtave të minoritetit etnik grek. Më lejoni që edhe në këtë pikë të bëj një krahasim me një shtet tjetër të rajonit tonë, me Turqinë, e cila në mënyrë sistematike po tenton, duke shfrytëzuar ndjenjat fetare në rajone të Ballkanit, si Shqipëria, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Greqia, të manipulojë popullsitë lokale.

Veç të tjerash, ka vënë në dispozicion burime të pashtershme financiare për ndërtim xhamish, për krijimin e shkollave dhe qendrave kulturore myslimane, me objektiv të dukshëm krijimin e pikave mbështetëse sociale, me qëllim ringjalljen në një variant modern të Perandorisë Otomane, ose ndryshe, të një “Komunuellthi Otoman”. Për më tepër, nuk duhet të harrojmë referimet gjithnjë e më të shpeshta të Presidentit Erdogan për Perandorinë Otomane, por edhe presionet që janë ushtruar mbi lidershipin e vendeve të Ballkanit për të përmirësuar akoma më shumë, edhe nëpërmjet librave shkollorë, imazhin e sundimtarëve otomanë. Njëkohësisht, duke zhvilluar një luftë propagandistike të cilën e ka filluar vite më parë, Ankaraja po përpiqet që të ushqejë antihelenizmin dhe të lëshojë, përmes mediave sociale dhe disa mediave të tjera, mesazhe gjoja mbështetëse kundrejt një armiku që nuk ekziston. Për fat të keq, fqinji ynë lindor kultivon dhe përjetëson një klimë mosbesimi në disa qarqe në Shqipëri në dëm të Greqisë, me qëllim që Greqia të ketë një front të hapur në kufijtë e saj veriorë. Kësaj logjike i ka ikur koha, sepse jetojmë në një botë ndryshimesh të vazhdueshme dhe sfidash të përbashkëta, të cilat kërkojnë bashkëpunim më të madh, veçanërisht në nivel lokal/rajonal, në vend të antagonizmave, shpesh herë të pafrytshme.

Abrogimi i ligjit të luftës përbën një çështje tjetër në marrëdhëniet dypalëshe. Pala greke ka garantuar në të gjitha format, bile edhe nëpërmjet deklaratave zyrtare të ishPresidentit të Republikës, Karolos Papulias, se dekreti mbretëror që e parashikonte këtë ligj është abroguar. Njëkohësisht, ka edhe një angazhim zyrtar se prej palës sonë nuk ekziston gjendja e luftës. E si mund të ndodhte ndryshe, në një kohë që me Shqipërinë marrim pjesë në të njëjtën aleancë mbrojtëse, NATO-n, dhe jemi të predispozuar që ta ndihmojmë për t’u integruar në familjen europiane? Sa i përket çështjes çame, një temë që e ngre pala shqiptare, por që në thelb ka gjetur zgjidhje me vendime gjyqësore këtu e 70 e më shumë vjet përpara, pra dukshëm, si çështje ajo nuk ekziston, secili që eventualisht beson se duhet që të kompensohet, mund t’u drejtohet gjykatave greke, ashtu siç parashikon ligji.

Një prej arsyeve kryesore që klima për Greqinë, në radhët e një pjese të shoqërisë shqiptare është negative, ka lidhje me stereotipa të së kaluarës, të cilët vetë jeta i ka nxjerrë jashtë loje. Më konkretisht, sindroma e “rrethimit armiqësor”, që kultivohet sistematikisht dhe që kalon nga njëri brez te tjetri, përfshin brenda edhe Greqinë. Besoj se prej referimeve të mësipërme mbi çështjen konkrete, bëhet e qartë, dhe veç kësaj, është vërtetuar në praktikë se kjo është një teori absurde, e cila nuk i përgjigjet, qoftë dhe minimalisht, realitetit. Këtë e vërteton ndërveprimi i dy shoqërive të vendeve tona dhe shprehësit më të mirë të perspektivës pozitive të marrëdhënieve greko-shqiptare janë emigrantët shqiptarë që ndodhen në Greqi që në fillimet e viteve 1990.

Është e vërtetë që ndërsa në fillim shumica e grekëve (sidomos në fshatrat e Epirit) i priti krahëhapur, në vazhdim, për shkak ngjarjesh aksidentale dhe fatkeqe, por ndoshta dhe për mungesë kulture menaxhimi të një numri kaq të madh emigrantësh që erdhën masivisht dhe me kërkesa në Greqi (kjo kishte ndodhur edhe pas katastrofës së Azisë së Vogël me bashkëkombësit tanë), trajtimi i mjaft prej atyre njerëzve ishte ksenofobik dhe i papranueshëm në disa raste. Por këtu dhe shumë vite më parë kjo gjendje ka ndryshuar rrënjësisht. Elementi shqiptar është integruar normalisht dhe plotësisht, një numër i madh i janë futur rrugës së biznesit, fëmijët e brezit të dytë dhe të tretë ndjekin me sukses mësimet nëpër universitetet greke dhe stereotipat e së kaluarës ngjajnë tashmë shumë të largët. Kam pasur fatin të jem vetë dëshmitar i përparimit të studentëve me origjinë shqiptare, të cilët, duke marrë nënshtetësinë greke, ndoqën universitete me emër në vende të BE-së me shpenzime shumë të ulëta shkollore, ndërsa nëse nuk do ta kishin (nënshtetësinë greke), familjet e tyre nuk do të mundeshin të bënin realitet ëndrrat e tyre.

Përmbledhtazi, do të thoshim se marrëdhëniet Greqi-Shqipëri ndodhen para një sprove. Mosbesimi reciprok duhet t’ia lëshojë vendin nismave me vepra për rivendosjen e besimit. Në të kaluarën e afërt iu afruam një marrëveshjeje–paketë, e cila merrte parasysh shqetësimet e të dyja palëve. Sot, në një ambient Covid-19 dhe krize ekonomike, duhet të vihet në plan të parë bashkëpunimi brenda një kuadri rregullator, që do të bazohet në ato që parashikon e drejta ndërkombëtare mbi detin, do të bazohet në respektimin e minoriteteve, dhe në përgjithësi, do të bazohet në parimet e fqinjësisë së mirë. Nuk ka diskutim se ato që i bashkojnë vendet tona janë më të shumta në numër se ato që i ndajnë, rrjedhimisht na intereson që lidhjet tona të kalojnë në filtrin e interesave tona kombëtare, duke iu shmangur kurtheve të forcave të brendshme dhe kryesisht të jashtme, të cilat, për arsyet e tyre, janë të interesuara që të përjetësohen pikëpamje, objektivi i vetëm i të cilave është zgjatja në vazhdimësi e tensioneve mes nesh.

*Drejtor ekzekutiv i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Panteion”

Nga ish-gjyqtari tek zyrtari i lartë i Policisë! 18 të arrestuar!

Aksioni blic në Elbasan/ Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK!

Operacioni ku u arrestuan dy ish-gjyqtarë

SPAK kontrolle në bizneset e Suel Çelës në Elbasan

Kush është personi që ndihmoi autorin të largohej

Vrasja e Martin Canit/ Dyshime se janë përdorur dy thika