Platforma online “Akademi.al” do të vijë në ndihmë të gjithë nxënësve që të klasave të ndryshme që zhvillojnë mësim kolektiv. Kjo do të evitojë “përplasjen” e mësimeve të nxënësve të klasave të ndryshme si dhe do të jetë një përshtatje në këtë situatë që ndodhet Shqipëria me koronavirusin.
Duke folur nga Lezha ku u bë dhe prezantimi i kësaj platforme, kryeministri Rama tha se kjo platformë do të ndihmojë nxënësit dhe prindërit e tyre që të jenë në kontakt të drejtëpërdrejtë me mësuesit. Kryeministri tha se edhe pasi të përfundojë beteja me koronavirusin, kjo platformë do të vijojë të funksionojë.
“Në radhë të parë më lejoni të shpreh kënaqësinë që jemi këtu së bashku në një shkollë të rindërtuar nga bashkia e Lezhës. Një shkollë që ishte në gjendje shumë të vështirë dhe që tanimë është rindërtuar. Përpjekja për të rindërtuar shkollat ekzistuese që kanë nevojë për ndërhyrje dhe për të ndërtuar ato që u rrënuan nga tërmeti vazhdon çdo ditë. Sot jemi për të çuar përpara një nismë të qeverisë tonë në mbështetje të nxënësve që janë ende në klasat kolektive.
Ato janë një problem i madh dhe i trashëguar nga e shkuara që po vjen duke u zbutur. Siç e tregon kjo nismë, çdo krizë me të cilën ne detyrojmë të përballemi është mundësi. Çdo pengesë është stimul, nxit imagjinatën tonë për të bërë një sforco më shumë për të arritur të kapërcejmë pengesat që na dalin përpara. Nisma për digjitalizimin e klasave kolektive është një nismë që kthen në mundësi një krizë të cilën ne mund ta zgjidhim duke digjitalizuar mësimin në të gjithë rrjetin e fëmijëve që bëjnë mësim në klasa kolektive. Jemi absolutisht të bindur që jo vetëm kjo është zgjidhja e duhur por dhe mundësia falë partnerëve tanë që në kohë të vështirë nxjerrin vlerat e tyre, ta bëjmë këtë shumë mirë. Ne për hir të vërtetës e kemi zbutur por jo zgjidhur plotësisht. U ofrojmë fëmijëve të klasave kolektive, akes në mësim me mësuesit më të mirë në Shqipëri.
Janë një skuadër për të realizuar këto programe dhe u vihen në ndihmë të gjithëve për të zgjidhur këtë fazë të jetës tonë përballë këtij armiku të padukshëm. Në këtë krizë, kjo që po ndodh me arsimin është e jashtëzakonshme për atë që lë prapa. Ky program nuk është se do të rreshtë së pushuari kur lufta me armikun të ketë përfunduar. Do vijojë të përmirësohet duke i dhënë mundësi nxënësve dhe mësuesve që të adaptojnë mësimin e tyre përmes mësuesve më të mirë. Duke u dhënë mundësinë dhe prindërve të aktualizojnë dijet e tyre, njohuritë e tyre dhe të kenë ndihmën e drejtëpërdrejtë të mësuesve dhe të mos shkojnë ta takojnë” – tha Rama.
Gjithashtu kryeministri Rama gjatë kësaj konference solli në vëmendje dhe domosdoshmërinë mbajtjes së maskave për të evituar një mbyllje të dytë për shkak të koronavirusit.
“Sfidat e përditshme të sistemit arsimor që nga ministrja tek punonjësi i fundit. Duhet të jenë vigjilent në çdo moment më tepër se askush, mësuesit janë në kontakt me shumë fëmijë por përmes tyre dhe me shumë familje. Kanë detyrën më të vështirë që tua bëjnë fëmijëve sa më të lehtë dhe të pakuptueshmen të kuptueshme. Fëmijët që në momentin e parë të lindjes janë mësuar të bëjnë të kundërtën. Përfitoj nga rasti të them që të gjithë duhet të bëhen të vetëdijshëm për rrezikun që po kalojmë.
Një mbyllje përsëri do të ishte shumë herë më problem dhe me shumë më tepër pasoja se mbyllja e parë në të gjitha aspekte. Këtë rrezik mund ta shmangim duke mos shmangur bezdinë të vënies së maskës sapo dalim nga shtëpia dhe kudo. Kjo nuk është një lojë, nuk është një grip i zakonshëm, dhe sëbashku me gripin dobësojnë organizmin që sulmojnë dhe që prekin” – tha Rama.