Ndërsa shifrat e infektimeve kanë qenë të larta, duke shënuar rekorde të reja kryesisht javën e fundit, të gjithë janë të shqetësuar nëse do të ketë një mbyllje të dytë. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, e ftuar në “Wake Up” në Top Channel, zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tregoi ndër të tjera edhe skenarët që mund të na çojnë në një mbyllje të dytë.
“Treguesit janë shumë kompleksë, nuk ka një tregues të vetëm, të cilit ne duhet të bazohemi që të vendosim për të bërë mbylljen e disa aktiviteteve.
Por, treguesit të cilët do të na çojnë që të bëjnë një rekomandim të tillë janë shumë kompleksë. Numri i jetëve të humbura dhe numri i atyre që kanë nevojë për marrjen e kujdesit intensiv.
Pra, një ndërthurje e këtyre numrave, një analizë e thelluar në ndërthurjen e këtyre numrave mund të na çojë në atë masë”, deklaroi Rakacolli.