Mediat greke kanë komentuar vendimin e përbashkët të qeverisë greke dhe asaj shqiptare për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës lidhur me çështjen e detit.
Sipas Newsbomb.gr, ky ishte vendim i dëshiruar nga Athina zyrtare për të anashkaluar çështjen e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Media greke shkruan se Greqia ka vërejtur iniciativa shqetësuese nga Turqia e cila do të përdorë portin e Vlorës për marinën turke.
“Ky është një zhvillim që Athina dëshironte, në mënyrë që të anashkalonte humnerën e kushtetutshmërisë që ka lindur në Shqipëri dhe ka qenë justifikimi i vendosur i Tiranës që nga viti 2009 për të shmangur debatin. Meqenëse Gjykata Kushtetuese nuk funksionon në Shqipëri për momentin, ngërçi ishte i dukshëm
Është e qartë, megjithatë, në një nivel më të gjerë, se Ankaraja nuk dëshiron një zgjidhje të çështjes së detit midis Greqisë dhe një vendi tjetër fqinj. Nga Athina, iniciativa të ndryshme shqetësuese turke vërehen me interes për Shqipërinë fqinje, të tilla si, për shembull, dhënia e një kalate në portin e Vlorës në përdorimin për marinën turke”, shkruan Newsbomb.
Gazeta “Protothema” ndërkohë, thekson se “përpara referimit përfundimtar të mosmarrëveshjes në caktimin e zonave detare midis Greqisë dhe Shqipërisë, negociatat dypalëshe do të paraprijnë brenda një periudhe kohe të arsyeshme dhe të përcaktuar qartë, për shembull një ose dy vjet.
Edhe në këtë rast, pritet të bihet dakord për një kalendar specifik – për shembull një vit – për hartimin e një artikulli të përbashkët, i cili do t’u dërgohet anëtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, të cilët do të thirren të vendosin për çështjen e mprehtë të demarkacionit detar midis Greqisë. dhe Shqipërinë”.
Prestigjozja “Kathimerini” nga ana tjetër shkruan se dërgimi në Hagë i kësaj çështje është diçka që pala greke e dëshironte “në mënyrë që të anashkalonte humnerën e kushtetueshmërisë që është ngritur në Shqipëri dhe që prej vitti 2009 është justifikimi i vendosur i Tiranës për të shmangur debatin”.
Më tej gazeta nënvizon edhe faktin se ngërçi për momentin në Shqipëri është i dukshëm pasi mungon Gjykata Kushtetuese. Në vijim të shkrimit për vizitën e Dendias në Tiranë, “Kathimerini” përmend edhe rolin e Ankarasë zyrtare si palë e interesuar që një çështje e tillë të mos zgjidhet mes Greqisë dhe një vendi tjetër fqinj.
Edhe pse gjatë deklaratës së përbashkët mes Nikos Dendias dhe Edi Ramës, diplomati grek thjesht evidentoi rolin sipas tij jo të duhur të Turqisë në raport me integrimin dhe vlerat e BE-së, “Kathimerini” shkruan se Athina zyrtare e shikon me shqetësim iniciativën për t’i dhënë një hapësirë marinës turke në Portin e Vlorës.
Njësoj si kryeministri Mitsotakis, “Kathimerini” risjell në vëmendje se pas gjetjes së marrëveshjes me Shqipërinë, Greqia pritet të zgjerojë ujërat e saj territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje detare.
“Mundësia e zgjidhjes së mosmarrëveshjes me Tiranën do të çonte në një zgjidhje të plotë të zonave detare me të gjitha vendet fqinje përveç Turqisë, e cila është e lidhur ‘duar dhe këmbë’ me interesat në Tripoli të Libisë”, shkruan “Kathimerini”.