21.10.2020 - 16:33
Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar i është drejtuar nëpërmjet një letre Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE), Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesve diplomatikë në Shqipëri.
Përmes kësaj letre SNB vë në dukje kushtet e vështira me të cilat përballen naftëtarët dhe mbarë komuniteti i Ballshit, pagat e prapambetura dhe pezullimin e punës prej më se një viti.
SNB bën thirrje për vënien në zbatim të vendimit të gjykatës që u rikthen pagat punëtorëve dhe kërkon mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare në ushtrimin e presionit qeverisë shqiptare për gjetjen e zgjidhjes.