Italia mund të hyjë sërish në karantinë, edhe pse kjo mundësi ishte përjashtuar deri më tani nga autoritetet e vendit fqinj.
Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, e cila citon burime qeveritare, vendi fqinj mund të hyjë sërish në karantinë nëse numri i pacientëve në terapi intensive është më i madh se 2300 të infektuar.
Të mërkurën, Italia regjistroi një rekord prej 15.199 raste të reja me Covid-19, brenda 24 orëve, numri më i lartë i rasteve ditore që nga fillimi i pandemisë.
Edhe gazeta “La Repubblica” raportoi për mundësinë e një bllokimi të ri kombëtar nëse rastet ditore do të kalonin 20.000 të infektuarit.
Pas verës, kryeministri Xhuzepe Konte përjashtoi vendosjen e një karantine. Sidoqoftë, në javët e fundit, me rritjen e rasteve të reja të koronavirusit, kryeministri e ka bërë të qartë se mund të ndryshojë mendje. Të enjten, Conte tha në një fjalim para parlamentit se qeveria e tij ishte ‘’gati për të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse ishte e nevojshme ’’.
Shqetësimi më i madh i Italisë është mungesa e shtretërve spitalorë, pasi sistemi shëndetësor kaloi thuajse në kolaps gjatë valës së parë.
Aktualisht në Itali ka tre rajone ku nuk lejohet lëvizja nga mesnata deri në orën 5 të mëngjesit, në përpjekje për të frenuar rritjen e rasteve me Covid-19. Pas Lombardisë dhe Campanias, të mërkurën Lazio gjithashtu prezantoi vendosjen e një ore policore që përfshinte kryeqytetin.(“Correre della Sera”, “La Republica”, SI)