Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se ky është viti më i errët në 30 vite në Shqipëri, pasi sipas tij, pavarësisht pandemisë, mafia në bashkëpunim me qeverinë vazhdon të vjedhë taksat e shqiptarëve.
Sipas tij, me ligjin antimafia do të vihen përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer koncesione korruptive.
“Ne kemi gati ligjin antimafia që të trajtohen tenderat dhe konsesionet korruptive. Do të jenë zyrtarët e çdo niveli nga i pari tek i fundit që është përfshirë në kontratat abuzive. Po kështu edhe personat dhe kompanitë private që janë përfitues abuziv të fondeve financiare.
Qëllimi përfundimtar i ligjit është që qytetarëve t’u kthehen paratë. Ne në vite të errëta jemi. Vit më errët se sa ky ku në kohën e pandemisë, mafia vjedh me qeverinë vjedh paratë e taksapaguesve, në 30 vite nuk kemi patur. Nuk kanë frikë as nga SPAK dhe kjo është një shenjë shumë e keqe për SPAK-un. Këto janë vite të errëta”- tha Basha në EuroNews.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka quajtur dy vizione të ndryshme strategjinë për taksat të prezantuar nga partia e tij dhe atë të PS.
Por ndërsa ka theksuar se me taksën progresive të vendosur nga qeveria Rama qytetarët paguajnë më shumë, Basha ka zbuluar një pjesë nga buxheti i prezantuar për vitin 2021. Sipas Bashës në buxhetin e 2021 thuhet se taksa do të rritet me 25 milion euro, ndërsa shtoi se pas këtij momenti qeveria do nxitojë ta korrigjojë.
“Bëhet fjalë për dy vizione të ndryshme. Unë ndjek një politikë të taksave të ulëta. Çlirojnë ekonominë, në kohë të mira i kanë dhënë mundësi për një rritje dy shifrore si në vitet 2007-2008.
Me taksën progresive shqiptarët paguajnë më shumë me Edi Ramën. Çdo gjë është rritur, për të mos folur për tarifën e korrupsionit, gjobën.
Në buxhetin e vitit 2021 ai pranon se do të rritet taksa. Me siguri pas këtij momenti do nxitojnë ta korrigjojnë. Thonë që taksat do të rriten me 25 milion euro. Në fushatë thotë do ti ul dhe në buxhet do ti rrisë. Ekonomia, konsumi në rënie, bizneset po mbyllen nga do t’i nxjerrë paratë”, tha Basha.