Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk është vetëm udhëheqësi i vendit të tij, ai është ndoshta personi më i fuqishëm në Tokë.
Vendimet e tij ndikojnë në jetën e gjithësecilit prej nesh. Atëherë, si e ka ndryshuar botën Donald Trump?
Si e sheh bota Amerikën?
Presidenti Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se SHBA-ja është “vendi më i madh në botë”. Por sipas një sondazhi të kohëve të fundit me 13 kombe nga Qendra Kërkimore Pew, ai nuk ka bërë shumë për imazhin e saj jashtë shtetit.
Në shumë vende evropiane, përqindja e atyre që mendojnë pozitivisht për imazhin e Amerikës është në nivelin më të ulët në 20 vjet.
Në Mbretërinë e Bashkuar, 41% kishin mendim pozitiv ndërsa në Francë vetëm 31%, dhe në Gjermani vetëm 26%.
Qëndrimi i mbajtur nga Amerika ndaj pandemisë së koronavirusit ishte një faktor kryesor që ndikoi në opinionin e të anketuarve dhe vetëm 15% e tyre mendojnë se SHBA e menaxhoi mirë virusin, sipas shifrave nga korriku dhe gushti.
Të bësh një hap pas në ndryshimin e klimës
Është e vështirë të përcaktohet çfarë presidenti Trump beson në lidhje me ndryshimin e klimës, sepse ka bërë disa përcaktime lidhur me të duke e cilësuar nga “një mashtrim me kosto të lartë”, te një “temë serioze” që është “shumë e rëndësishme për mua”.
Ajo që është e qartë është se në gjashtë muajt e parë të punës së tij si president ai shqetësoi shkencëtarët duke njoftuar tërheqjen e Amerikës nga marrëveshja e klimës së Parisit, e cila angazhoi gati 200 vende për të mbajtur temperaturën globale nën 2C.
SHBA është emetuesi i dytë më i madh i gazrave serrë pas Kinës dhe studiuesit kanë paralajmëruar se nëse Trump rizgjedhet, mund të bëhet e pamundur të mbahet nën kontroll ngrohja globale.
Donald Trump ka hequr një mori rregullash për ndotjen për të ulur koston e prodhimit të qymyrit, naftës dhe gazit.
Disa miniera qymyri në SH.B.A. janë ende mbyllur të nxitura nga konkurrenca nga gazi natyror më i lirë dhe përpjekjet e shtetit për të mbështetur energjinë e rinovueshme.
Shifrat e qeverisë tregojnë se burimet e rinovueshme gjeneruan më shumë energji sesa qymyri në SH.B.A. në 2019, për herë të parë në më shumë se 130 vjet.
Dalja e Amerikës nga marrëveshja e klimës në Paris zyrtarisht hyn në fuqi në 4 nëntor, ditën pas zgjedhjeve presidenciale. Joe Biden është zotuar të ribashkohet me paktin nëse ai fiton.
Frika se tërheqja e Shteteve të Bashkuara do të shkaktonte një efekt domino nuk është realizuar.
Kufijtë e mbyllur, për disa
Presidenti Trump vendosi rregullat e tij për imigracionin vetëm një javë pas fillmit të detyrës së re duke mbyllur kufijtë e SHBA për udhëtarët nga shtatë vende me shumicë myslimane. Aktualisht 13 kombe iu nënshtrohen kufizimeve të lëvizjes.
Numri i të lindurve të huaj që jetojnë në SH.B.A. ishte rreth 3% më i lartë në 2019 sesa në 2016, viti i fundit i Presidentit Obama në detyrë.
Përqindja e rezidentëve në SHBA të lindur në Meksikë pësoi rënie gjatë mandatit të Trump, ndërsa numri i transferimeve diku tjetër në Amerikën Latine dhe Karaibe është rritur.
Ka pasur gjithashtu një shtrëngim të përgjithshëm të numrit të vizave që u mundëson njerëzve të vendosen përgjithmonë në SH.B.A. veçanërisht për të afërmit e atyre që tashmë jetojnë atje.
Nëse ka një emblemë të politikës së emigracionit të Presidentit Trump, ai është me siguri “muri i madh” që ai u betua të ndërtonte në kufirin me Meksikën.
Numri i migrantëve të ndaluar në kufirin SHBA-Meksikë arriti nivelin më të lartë për 12 vjet në 2019.
Më shumë se gjysma ishin familje, kryesisht nga Guatemala, Honduras dhe El Salvador, ku dhuna dhe varfëria po i shtyjnë njerëzit të kërkojnë azil dhe një jetë të re diku tjetër.
‘Luftërat e pafund’ të Amerikës dhe një marrëveshje për Lindjen e Mesme
Në fjalimin e tij në Shkurt 2019, Presidenti Trump u zotua të tërhiqte trupat amerikane nga Siria, duke deklaruar: “Kombet e mëdha nuk bëjnë luftëra të pafund”.
Numrat tregojnë një tjetër histori…Për muaj me radhë, Trump vendosi të mbante rreth 500 trupa në Siri, në fund të fundit për të mbrojtur puset e naftës. Presidenti ka zvogëluar praninë e trupave në Afganistan, dhe në një farë mase në Irak dhe Siri. Por forcat amerikane janë ende kudo që ishin ditën kur ai mori detyrën.
Natyrisht ka mënyra për të ndikuar në Lindjen e Mesme pa ushtarë. Presidenti Trump hodhi poshtë qëndrimet e presidentëve të mëparshëm duke zhvendosur ambasadën e SHBA nga Tel Aviv në Jeruzalem në. Muajin e kaluar ai përshëndeti momentin kur Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan marrëveshje që normalizonin marrëdhëniet me Izraelin, një veprim për të cilën SHBA ndihmoi ndërmjetësimin.
Grindjet me Kinën
Më 2 dhjetor 2016, Z. Trump (atëherë presidenti i zgjedhur) ndërmori hapin jashtëzakonisht të pazakontë për të folur drejtpërdrejt me presidentin e Tajvanit duke hedhur poshtë një pakt të vendosur në 1979, kur marrëdhëniet zyrtare u ndërprenë. Carrie Gracie, atëherë redaktore e BBC në Kinë, parashikoi që veprimi i Trump do të shkaktonte” alarm dhe zemërim” në Pekin, i cili e sheh Tajvanin si një provincë të Kinës jo një shtet të pavarur.
Ky veprim i guximshëm i Trump ishte i pari i një gare shumëkahëshe mes rivalëve të mëdhenj gjeopolitikë, e cila ka prishur marrëdhëniet mes palëve.
SHBA e ka dëmtuar Kinën duke deklaruar pretendimet e saj territoriale në Detin e Kinës Jugore si të paligjshme, duke vendosur tarifa për mallrat e saj, duke ndaluar shkarkimet e aplikacioneve të njohura TikTok dhe WeChat dhe duke renditur në listën e zezë gjigandin kinez të telekomunikacioneve Huawei për të cilin SHBA pretendon se është një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Një luftë e mundshme me Iranin
“Irani do mbajë përgjegjësi për jetët e humbura, ose dëmet e shkaktuara, në ndonjë nga objektet tona. Ata do të paguajnë një ÇMIM shumë të madh! Ky nuk është një Paralajmërim, është një Kërcënim,” shkroi Trump në Tëitter në prag të Vitit të Ri, 2019 “Gëzuar Vitin e Ri!”
Ditë më vonë, SH.B.A. vrau Qasem Suleimanin, gjeneralin më të fuqishëm të Iranit dhe njeriun që drejtoi operacionet e saj ushtarake në Lindjen e Mesme. Irani u kundërpërgjigj, duke gjuajtur më shumë se një duzinë raketa balistike në dy bazat amerikane në Irak. Më shumë se 100 trupa amerikane u plagosën dhe analistët i konsideruan kombet në prag të luftës.
Nuk kishte luftë, por civilë të pafajshëm vdiqën: vetëm disa orë pas sulmeve raketore të Iranit, ushtria e tij gabimisht rrëzoi një avion ukrainas pasagjerësh, duke vrarë të gjithë 176 personat në bord.
SHBA dhe Irani kanë qenë në mosmarrëveshje që nga viti 1979.
Përkthyer dhe përshtatur nga: bbc/ F.H, konica.al