Një valë e dytë e koronavirusit të ri, është duke e përfshirë mbarë Evropën kontinentale, me rekorde të reja infeksionesh që po thyen çdo ditë në shumë vende. Variacionet e situatës janë të mëdha, por thuajse asnjë vend nuk ka mbetur i paprekur.
Madje edhe ata që ia dolën më mirë gjatë valës së parë. Në të 31 vendet për të cilat Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve mbledh të dhëna, niveli mesatar i rasteve i rasteve 14-ditore për 100.000 banorë, është rritur nga vetëm 13 në mesin e muajit korrik, në gati 250 javën e kaluar.
Ndërsa shtrimet në spital, futjet në terapi intensive dhe vdekjet, nuk po ndjekin deri tani të njëjtën kurbë të pjerrët me drejtim nga lart, dhe në përgjithësi mbeten shumë poshtë niveleve të pranverës që shkoi, ato po rriten gjithsesi në mënyrë të qëndrueshme, duke shkaktuar tashmë probleme të rënda për shërbimet shëndetësore në disa vende.
Franca raportoi më shumë se 40.000 raste të reja në 2 ditë javës që shkoi, duke e çuar në 521 raste për 100.000 banorë shkallën e saj të rasteve 14-ditore. Masat e rrepta, përfshirë një shtetrrethim që nis nga ora 21.00 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, po zbatohen aktualisht mbi 2/3 e popullsisë.
Në Gjermani, ku shkalla e rasteve ishte shumë më e ulët se shumica e vendeve të BE-së në pranverë, po përjeton gjithashtu shtim të madh të rasteve të reja ditore:nga 5.250 në ditë në 13.500 në fund të javës që u mbyll, me një normë prej 319 rastesh për 100.000 banorë, një rritje “shumë serioze” paralajmëroi një zyrtar i lartë.
Spanja, një nga vendet më të prekura gjatë valës së parë, po përballet sërish me një emergjencë, duke u bërë vendi i parë i Evropës Perëndimore, që i kaloi javës që shkoi 1 milion raste zyrtare me Covid-19. Ajo regjistroi 20.000 raste të reja në 2 ditë rresht.
Italia, një tjetër vend i goditur rëndë këtë pranverë, shënoi një rekord të ri të rastesh të premten me 19.000 infeksione, duke shtuar frikën se pandemia po del sërish jashtë kontrollit. Me një normë 14-ditore prej 240 rastesh për mijë banorë 100.000, situata është “dramatike”.
Epidemia në Belgjikë,vend që pati një nga shifrat më të lartë të vdekjeve për frymë në Evropë pranverën që shkoi, është “jashtë kontrollit” dhe “më e rrezikshmja në Evropë”. Deklarata është bërë nga vetë ministri belg i shëndetësisë. Ky vend ka një normë prej 1.115 rastesh për 100.000 mijë banorë për një periudhë 14-ditore.
Republika Çeke, e lavdëruar më herët si një histori suksesi, për shkak të normave më të ulëta të rasteve në kontinent, ka tani ndër normat më të larta:1.210 për 100 mijë banorë për 2 javë. Dhe ashtu si Belgjika, duket se po shkon drejt një mbylljeje të re.
Suedia, e famshme për strategjinë e saj kundër bllokimit, ka miratuar masa të detyrueshme rajonale për të luftuar një valë të papritur, që javën e kaluar pa rritjen e numrit të rasteve ditore në mbi 1 mijë, nga vetëm 150 në fillim të shtatorit.
Finlanda, me një nga nivelet më të ulëta të rasteve pozitive dhe vdekjeve në Evropë, është një nga të paktat vende të BE-së, që po e lufton në një mënyrë efektive këtë valë të dytë. Masat e ashpra, kanë arritur të zvogëlojnë një rritje të rasteve të reja gjatë javës së kaluar, duke e lënë normën e rasteve 14-ditore në 52 për 100.000 banorë. / The Guardian – Bota.al