“El Clasico” e parë e këtij sezoni është luajtur dhe siç pritej nuk ka kaluar pa polemika. VAR ka qenë edhe njëherë aleati i madh i Real Madrid, këtë herë me penalltinë mjaft të diskutueshme nga Lenglet në dëm të Ramos, çka i hapi udhë fitores së Los Blancos.
Por duke lënë mënjanë këtë fakt, paraqitja në El Clasico bëri që vlera në treg e shumë futbollistëve të njihte rritje. Ansu Fati ishte më i miri për Barcelonën dhe jo vetëm për shkak të golit të tij të jashtëzakonshëm.
Pas zëvendësimit të tij në minutën e 80-të, Barcelona humbi pikën e referimit, por sulmuesi fitoi pikë në çmimin e kartonit të tij. Fati vlerësohet me 14 milionë euro tashmë, thuajse një milion më shumë se një javë më parë.
Por ndryshe nga Fati, në mënyrë të çuditshme ka pësuar rritje të kartonit sulmuesi tjetër i Barcelonës, Ousmane Dembele. Francezi mori vendin e Busquet në të 82-n minutë dhe vlen 741 mijë euro më shumë se një javë më parë, duke pësuar rritje me 16%.
Pavarësisht se pësoi 3 gola, portieri i Barcelonës, Neto ishte ndër më të mirët në skuadrën e tij dhe kjo ndikoi direkt në vlerën e kartonit të tij. Ai vlen tashmë 14.5% më shumë se të hënën e shkuar, ose e thënë në shifra, 15 milionë euro.
Kolegu i tij te Real Madrid, Thibaut Courtois ishte edhe futbollisti që përfitoi më shumë nga ky 90-minutësh, pasi çmimi i tij në treg u rrit me 12 milionë euro. Një pjesë e parë mjaftoi për mbrojtësin Nacho që kartoni i tij të vlerësohet më shumë nga një javë më parë. Spanjolli u largua i dëmtuar në fundin e pjesës së parë, por deri në ato momente neutralizoi Lionel Messin dhe për këtë, vlen 145 mijë euro më shumë!