Kryeministri Edi Rama tha nga foltorja e Kuvendit se ka një detyrim për të gjithë demokratët.
Me ironi, kreu i qeverisë iu drejtua zgjedhësve demokratë, duke iu thënë se nëse më 25 prill votojnë Lulzim Bashën, pas i pret edhe Monika Kryemadhi me Ilir Metën.
“Me siguri më 25 prill ne, PS, nuk do të kemi vend. Ju do të jeni mbledhur të gjithë te Pallati i Kongreseve për të hapur sesionin e ri. Kam vetëm një detyrim ndaj demokratëve, ndaj votuesve, zgjedhësve demokratë. Imagjinoni cfarë iu pret o demokratë. Do shkoni në zgjedhje si te Vehbiu e te Sudja, jep një, merr dy. Do jepni votën për Lulin, e do keni mbrapsht edhe dy të tjerë, se aritmetika e Lulit është 1+1 bëjnë 3, pra do të keni dhe Monikën e Ilirin. Kjo është ajo që do iu ndodhë. Cfarë po iu pret më 25 prill me gjithë këtë fitore të madhe është detyrim që unë tua them demokratëve. Do e shikoni pas se cfarë vjen kur PD bëhet bashkë me LSI”, deklaroi Rama.
Në fjalën e tij në parlament, kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe letrës së mbërritur në adresë të tij nga 8 eurodeputetë lidhur me votimin e kodit zgjedhor në kuvend. Ndërsa tha se eurodeputetët do të marrin përgjigje me shkrim për letrën, Rama theksoi se ata janë të keqinformuar.
“Më shkruanin dje 8 eurodeputetë jemi të tronditur. Për cfarë? Do i përgjigjem me shkrim. Po për cfarë janë tronditur? Si mund të presim Venencian deri në dhjetor kur ligji ka kaluar dy javë më parë, pas një procesi që ka marr vite. Për cfarë janë të tronditur? Janë të keqinformuar qëllimisht duke shfrytëzuar marrëdhëniet ndërpartiake e pastaj thonë kryeminstër shpresojmë të vesh interesat e Shqipërisë para. Pa asnjë dyshim. Shqipëria kalon një reformë, falë këtij parlamenti dhe shkon në zgjedhje. Ligji ka kaluar, kushtetuta është ndryshuar. Venecia është i mirëseardhur kur të vi do e shohim dhe do hapim një diskutim n ga e para nëse do ketë nevojë. Po zgjedhjet e 25 prillit nuk presin më asnjë këshill politik.” u shpreh Rama.