Për ndarjen nga jeta të kompozitorit Avni Mula kanë reaguar edhe politikanët shqiptarë, kryeministri, presidenti, kreu i opozitës, dhe jo vetëm.
Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për vdekjen e kompozitorit të madh shqiptar Avni Mula. Rama ka zgjedhur vetëm pak fjalë për të përcjellë kompozitorin e shquar ”Lamtumirë Avni Mula, u prehsh në paqe”.
Veliaj përmes një postimi në Facebook shkruan se Shqipëria ka humbur një nga pasuritë më të mëdha njerëzore dhe artistike për të cilin do të jemi gjithmonë mirënjohës. “Fort i trishtueshëm lajmi i ndarjes nga jeta i Avni Mulës, një nga pasuritë më të mëdha njerëzore dhe artistike të kombit tonë. Arti shqiptar do t’i jetë ngahera mirënjohës për veprën e çmuar që la pas! Ngushëllime Invës për humbjen e babait, emrin e të cilit Tirana e nderoi me sallën e koncerteve “Avni Mula” në rrugën e Dibrës për t’u kujtuar nga gjithë brezat” – shkruan Veliaj.
“Humbje e madhe që le pas shumë dhimbje! Në këto momente të vështira, jam pranë Invës, familjes së dashur Mula dhe komunitetit të artistëve!”, shkruan Meta.
Postimi i plotë
Thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të një prej kolosëve të muzikës dhe artit shqiptar, Avni Mula, personalitet i jashtëzakonshëm, intelektual i spikatur, model i përhershëm qytetarie, figurë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë!
Humbje e madhe që le pas shumë dhimbje!
Në këto momente të vështira, jam pranë Invës, familjes së dashur Mula dhe komunitetit të artistëve!
Ngushëllimet më të ndjera dhe i paharruar kujtimi i Tij!
Lamtumirë Mjeshtër! U prehsh në paqen e merituar!
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, me një shënim në Twitter, Basha thotë se Avni Mula ndriçoi kohët e errëta me artin e tij dhe se la pas një krijimtari të vyer.
“Arti dhe artdashësit shqiptarë humbën sot Avni Mulën artistin e madh dhe kompozitorin që ndriçoi me artin e tij kohët e errëta e na la pas një krijmtari të vyer. Mendimet e mia sot janë për Invën dhe familjen Mula, miqtë dhe kolegët e artistit të madh Avni Mula. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.
Kompozitori Avni Mula, u nda dje nga jeta në moshën 92-vjeçare, ndërsa lajmin e trishto e bëri me dije e bija e tij, Inva Mula, në një postim në rrjetet sociale.