Gati gjysma e të gjithë popullsisë së Sllovakisë është testuar për koronavirus brenda një dite.
Vendi ka nisur prej së shtunës një program për testimin e të gjithë banorëve të saj, për të mbajtur nën kontroll përhapjen e virusit.
Nga 2.58 milion sllovakë të testuar, 25,850 rezultuan pozitivë, apo gati 1% që tashmë duhet të karantinohen.
Më shumë se 40 mijë mjekë, infermierë, policë dhe vullnetarë u angazhuan në 5 mijë vende testimi për kryerjen e testeve me antigen. Shteti me 5.5 milion banorë planifikon t’i testojë të gjithë qytetarët nga mosha 10-vjeç e sipër.
Ndonëse testimi kryhet në mënyrë vullnetare, autoritetet kanë paralajmëruar se do të vendosin masa izolimi për ato zona me numër të lartë qytetarësh që refuzojnë testin.