Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thotë se ligji i peshkimit, i cili u miratua nga parlamenti është një ligj Monopoli. Në një status në Facebook, Panariti shkruan se ky ligj penalizon qindra peshkatarë të pa mbrojtur dhe të pa mbështetur të cilët janë nxjerrë jashtë loje për ta përqëndruar peshkun në pak duar.
“Ky ligj ndalon zgjerimin dhe rifreskimin e flotës së peshkimit e cila do të ngurtësojë padrejtësisht kuotat që do të na caktojë BE sapo të të ulemi në bisedime me të dhe që do të varen nga kapacitetet dhe potencialet e peshkimit që kemi”, shkruan ndër të tjera Panariti.
Statusi i plotë i Edmond Panaritit
Peshkimi, një “kartel” në pak duar që nxjerr jashtë loje peshkatarët e vegjël e të pambrojtur!
Para pak kohe, parlamenti një partiak kaloi ligjin e peshkimit të ndryshuar, i cili ndalon rinovimin dhe dhënien e licensave të reja të peshkimit me arsyetimin qesharak :
Për të ruajtur detrat dhe oqeanet e botës nga mbipeshkimi!
Shqipëria mbipeshkon! Sa qesharake! Sa e pavërtetë! Sa e padrejtë!
Mbipeshkon vendi ynë, që peshkimin e ka kryesisht “fasoneri” sepse 70 përqind të peshkut dhe produkteve të detit i importon nga fqinjët Itali dhe Kroaci, vënde të Bashkimit Evropian.
Pra këto vende që na mbytin me peshk, nuk “mbi peshkojnë”, kurse ne jemi ata që po e zbrazim detin.
Ky ligj është ligj tipik “karteli” dhe “Monopoli” për të nxjerrë jashtë loje qindra peshkatarë të pa mbrojtur dhe të pa mbështetur të cilët janë nxjerrë jashtë loje për ta përqëndruar peshkun në pak duar.
Ata penalizohen çdo ditë me taksa, tatime shtrëngesa, naftë të shtrenjtë, e kufizime, që ti varin sa më shpejt grepat dhe rrjetat dhe tja mbathin .
Por ky ligj dëmton shumë edhe industrinë tonë përpunuese të peshkut dhe prodhimeve të detit, sepse e vendos atë në varësi të plotë furnizimi nga fqinjët, a thua se Shqipëria nuk i ka 400 km vijë bregdetare dhe stok të bollshëm peshku e molusqesh.
Ky ligj ndalon zgjerimin dhe rifreskimin e flotës së peshkimit e cila do të ngurtësojë padrejtësisht kuotat që do të na caktojë BE sapo të të ulemi në bisedime me të dhe që do të varen nga kapacitetet dhe potencialet e peshkimit që kemi.
Këto kapacitete janë të gjymtuara dhe të amortizuara! Tashmë edhe me ligj.