Pas sulmit terrorist të ndodhur mbrëmjen e sotme në Vjenë të Austrisë, ku të paktën 7 persona kanë mbetur të vdekur dhe isa të tjerë janë plagosur, kanë reaguar edhe krerët e shteteve europiane.
Presidenti francez Emmanuel Macron ishte i pari që shprehu mbështetjen për Austrinë pas sulmit terrorist në Vjenë.
“Evropa e dënon ashpër këtë akt frikacak që cenon jetën dhe vlerat tona njerëzore. Mendimet e mia janë me njerëzit e Vjenës pas sulmit të tmerrshëm të mbrëmjes së sotme. Ne jemi me Austrinë” shkroi ai.
Edhe Berlini menjëherë dënoi sulmin në Vjenë pranë një sinagogë “Ne nuk duhet të dorëzohemi në urrejtjen e atyre që përpiqen të ndajnë shoqëritë tona” tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se “terrori islamik është armiku ynë i përbashkët”.
“Lufta kundër këtyre vrasësve dhe atyre që i nxisin – është lufta jonë e përbashkët,” shkroi zëdhënësi i Merkelit në Twitter, duke shtuar: “solidaritet” me Austrinë.
Për ngjarjen e rëndë të regjistruar mbrëmjen e sotme ka reaguar dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Ai thotë se ky është një akt frikacak.
“Evropa dënon me forcë këtë akt frikacak që cenon jetën dhe vlerat tona njerëzore. Mendimet e mia janë me viktimat dhe njerëzit e Vjenës në prag të sulmit të tmerrshëm të mbrëmjes së sotme. Ne jemi me Austrinë ”, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Nuk ka vend për urrejtje dhe dhunë në shtëpinë tonë të përbashkët evropiane” u shpreh gjithashtu kryeministri italian Giuseppe Conte.
Nuk mund të mungonte edhe reagimi i kryeministrit të vendit tonë. Përmes një mesazhi në ‘Twitter”, Rama thekson se vlerat e përbashkëta të dy vendeve do të jenë gjithmonë më të forta se çdo ekstremizëm i dhunshëm.
“Zemërthyer nga sulmi terrorist në Vjenë, që është edhe më shumë sot zemra e Evropës sonë. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjarët e viktimave. Vlerat tona të përbashkëta do të jenë gjithmonë më të forta se çdo ekstremizëm i dhunshëm. Ne qëndrojmë të vendosur me Austrinë”, shkruan Rama.
Ndërkohë mesazh solidarizimi me Austrinë ka dërguar edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.
Lulzim Basha, po ashtu kryetar i PD, dënon sulmin terrorist në Vjenë. Në një postim në rrjetin social “Twitter” Basha e ka konsideruar një sulm frikacak kundër jetëve të pafajshme. Ai shpreh ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa thekson se Shqipëria solidarizohet me popullin e autoritetet austriake.