Ambasada Holandeze në Tiranë ka reaguar pas publikimit të qëndrimit të Holandës për çështjen e negociatave dhe konferencës së parë ndërqeveritare ku deri tani ka një qëndrim negativ.
Ambasada holandeze analizon ngjarjet duke nisur nga 6 tetori, kur KE publikoi paketën e zgjerimit dhe raport progresin për Shqipërinë.
Sa i përket diskutimit të sotëm në parlamentin holandez, ambasada shkruan se ka pasur një debat në përgatitje të takimit të Këshillit Europian të Çështjeve të Përgjithshme që do të mbahet në datën 10 nëntor, pjesë e të cilit ishte dhe paketa e zgjerimit që përfshin Shqipërinë.
REAGIMI I AMBASADËS HOLANDEZE
Në datën 6 tetor, Komisioni Europian publikoi paketën e zgjerimit, pjesë e së cilës ishte dhe raport progresi për Shqipërinë për 2020.
Ditën e premten, datë 3 tetor, qeveria holandeze dërgoi në parlament vlerësimin e saj për këtë paketë zgjerimi.
Po të njëjtën ditë, Ministri Blok dhe Ministri në detyrë Cakaj patën një takim online, gjatë të cilit Shqipëria u komplimentua për progresin e bërë me reformat, pavarësisht rrethanave të vështira.
Sikurse citohet edhe në letrën dërguar Parlamentit, qeveria holandeze e njeh se Shqipëria ka vijuar të bëjë përparim në të gjitha fushat kryesore (prioritetet kyçe).
Njëkohësisht, qeveria nënvizon se është e rëndësishme krijimi i Gjykatës Kushtetuese funksionale në Shqipëri, amendimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias si dhe vijueshmëria e punës me ndërtimin e track-record në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Holanda mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të mbështetur Shqipërinë në reformat e vazhdueshme në forcimin e shtetit ligjor.
Njëherë që të gjitha kushtet e vendosura në mars 2020 sipas konkluzioneve të Këshillit Europian të jenë përmbushur, do të zhvillohet Konferenca e Parë Ndërqeveritare.
Sonte ka pasur një debat në parlamentin holandez në përgatitje të takimit të Këshillit Europian të Çështjeve të Përgjithshme që do të mbahet në datën 10 nëntor. Pjesë e këtij debati u fokusua në përgjithësi për paketën e zgjerimit, përfshi edhe Shqipërinë.