Ka patur një surprizë në ndeshjet e mbrëmjes së sotme në Champions League. Finalisti i edicionit të kaluar, PSG, është mposhtur 2-1 nga Leipzig, një rival që u takuan në gjysmëfinale, ku parizienët fituan 3-0. Barcelona dhe Juventus bënë detyrën, po ashtu edhe Chelsea me Dortmund.
GRUPI E – Chelsea fitoi 3-0 në shtëpi me modestët e Renne. Dy herë Werner në pjesën e parë dhe Abraham në të dytën zgjidhën gjithcka për blutë e Londrës. Renne luajti me 10 lojtarë që nga 40’.
Përmbysje spektakolare e Sevilla-s ndaj rusëve të Krasnodar. Në harkun kohor të 4 minutave (17’ e 21’) miqtë rusë shënojnë dy gola. Rakitic ngushton në 1-2 në 42’, ndërsa Navas lë Sevilla-n me 10 vetë në 45’. Gjithsesi, edhe pse me 10 lojtarë, për 3 minuta (69’ e 72’) En Nesyri përmbys në 3-2.
GRUPI F – Borussia Dortmund ka marrë kreun e grupit pas fitores 3-0 në Belgjikë ndaj Club Brugge. Thorgan Hazard shënoi që në 8’, ndërsa Haaland lë sërish gjurmë me dy gola në 18’ dhe 32’.
Norvegjezi ngjitet në kuotën e 4 golave, aq sa Morata, Jota dhe Rashford. Vendimtare në këtë grup për kreun do të jetë përballja Dortmund-Lazio, pasi italianët kanë dy sfida brenda.
GRUPI G – Barcelona mposhti 2-1 Dinamo Kiev, që kishte udhëtuar në Spanjë me vetëm 13 lojtarë për shkak të infektuarve me Covid-19. Messi gjeti golin e parë me penallti në 5’, ndërsa Pique në 65’ dyfishoi shifrat. Goli i miqve në 75’ mbajti në tension katalanasit, që gjithsesi morën fitoren e tretë në 3 ndeshje.
Juventus e zgjedh me lehtësi në Hungari ndaj Ferencvaros, duke fituar 4-1. Dy herë Morata dhe dy herë Dybala, kompletuan pokerin bardhezi. Ronaldo dhe asistin e golit të dytë. Uzuni futet në fushë në 80’, duke realizuar ëndrrën e tij. Në 90’ vendasit shënojnë golin e nderit.
GRUPI H – Dy surprizat e sotme duket se ishin rezervuar në këtë grup. Pas humbjes së Manchester United në Turqi, edhe PSG bie në Gjermani, përballë Leipzig, që përmbys 2-1 shifrat dhe hyn në lojë për kualifikim.
Di Maria kaloi shpesht PSG-në në avantazh, që në 6’, pastaj humb penallti. Leipzig merr zemër dhe në 42’ Nkunku barazon shifrat. Forsberg në 56’ kalon gjermanët në avantazh, ndërsa në 69’ PSG mbetet me 10 vetë. Leipzig mbrojti fitoren.