MENU
klinika

Trajneri i Kombëtares

Reja: Ka probleme, por synojmë vendin e parë

07.11.2020 - 11:41

Pas shpalljes së listës së futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e nëntorit, trajneri Edy Reja foli për mungesat dhe problematikën me disa klube që nuk lejojnë futbollistët të vijnë në Kombëtare.

Mungesat – E dini që kemi pasur probleme, prej virusit, apo edhe për dëmtimet, si Mihaj, Strakosha, Bare, Çekiçi, Lenjani, Roshi, Vrioni, Kamberi, Mersinaj, Kamberi. Janë disa lojtarë që nuk do t’i kemi. Edhe Trashi është në pikëpyetje, sikurse edhe Vrioni. Gjasulën e presim.

Ai luan të hënën dhe të martën do të shohim a do të vijë. Do flasim sërish në lidhje me listën në vijim. Personalisht kam folur me klubet italiane, edhe presidenti është munduar. Normalisht jam i shqetësuar për këtë situatë dhe për problemet që kemi me klubet.

Në Itali mund të na nxjerin probleme, atje kanë rregulla të veçanta. Është një problem i përgjithshëm që e kanë të gjithë. Kemi tri ndeshje tani, dy zyrtaret janë shumë të rëndësishme dhe do doja t’i kisha të gjitha. Deri të martën do të mund të kuptojmë se cilët do të jenë pjesë e Kombëtares. Kam besim se do kemi lojtarët më të mirë në dispozicion.

Synimi – Në dy ndeshjet e fundit ne donim 4 pikë dhe morëm vetëm 2 pikë. Në ndeshjen e parë nuk bëmë mirë, por tek e dyta ishim më mirë. Në dy ndeshjet e ardhshme kemi objektivin të fitojmë. Objektivi ka qenë gjithmonë vendi i parë në grup dhe do japim maksimumin ta arrijmë këtë.

Tifozët – Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira dhe të tjera jo të mira. Do duhej të fitonim në disa duele, në fushë duhet të japim 110 përqind për të arritur objektivin e grupit sepse kemi për detyrë t’i fitojmë ndeshjet e radhës për të kapur objektivin.

Ndeshjet pa tifozë nuk janë ndeshje natyrale futbolli. Do na ndihmonin dhe do ishim komod me tifozët tanë në stadium. Në fushë do japim maksimumin edhe pse pa tifozë. Është një futboll ndryshe dhe ne duhet të japim maksimumin për objektivin.

Kosova – Ne në ndeshjet e fundit kemi pasur mundësi të bëjmë disa prova. Brojës i kemi dhënë mundësinë, ka bërë shumë mirë. Kemi provuar Kallakun që e kemi parë në aksion.

Ndeshja me Kosovën do më shërbejë për të parë lojtarët, por vendimtare do jenë ndeshjet në Ligën e Kombeve. Do jetë e rëndësishme vëllazërore, por shqetësimi im është se mezi pres të shikoj lojtarët që do të kem në dispozicion.

E kaluara – Është një situatë ku nuk e shikoj me vend krahasimin e ndeshjes me 2018-ën, kur ishte Panucci. Shqetësimi im është të kem të gjithë lojtarët. Dy ndeshjet zyrtare janë primare për mua, pa harruar rëndësinë ndaj Kosovës.

Duam të bëjmë një paraqitje të mirë. Këto 3 ndeshje kanë ardhur në një moment të vështirë të gjithë. Shqipëria luan gjithmonë për të fituar. Shpresoj që lojtarët që do të zbresin në fushë të japin maksimumin.

Moduli – Mund të ndryshoje dhe ajo bëhet në varësi të lojtarëve që kemi. Deri tani mund të them se Veseli, Ismajli dhe Gjimshiti na kanë thënë se do vijnë. Nëse do ketë mungesa të tjera, unë do ta rishikoj skemën. Mund të provoj skema të ndryshme, p.sh 4-3-1-2.

Moduli që kemi përdorur ka funksionuar, por në ndeshjen e fundit nuk ia dolëm të marrim fitoren. Patjetër mund të ketë ndryshim të skemës. Unë në karrierën time kam përdorur shumë skema dhe nuk jam i fiksuar pas 3-5-2. Megjithatë ekipi me këtë skemë më është përgjigjur mirë, por janë situata që mund të na bëjnë të ndryshojmë skemën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN