Kur kemi hyrë në muajin e nëntë të pandemisë, shifrat zyrtare tregojnë se jemi ende larg, për të mos thënë askund, me atë që quhet “imuniteti i tufës”, pra, një mbrojtje nga virusi atëherë kur është e infektuar më shumë se 60 për qind e popullsisë.
Në vendin tonë, shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se vetëm 24,206 qytetarë janë prekur nga COVID-19, ose më pak se 1 për qind e popullsisë. Aktualisht, janë me status aktiv[ 11 555 qytetarë, pothuajse gjysma. Kjo sepse shifrat e infeksionit janë rritur me shpejtësi përgjatë javëve të fundit përkundrejt atyre që dalin të fituar nga kjo betejë. Në gjykimin e mjekëve dhe ekspertët, shkalla e infeksionit mund të jetë disa herë më e lartë se ajo e raportuar. Por çdo projeksion, qoftë ai më optizimi për 10-fishim të rasteve, na bën sërish të jemi larg imunitetit të grupit.
RASTET
Lidhur me rastet ditore, të dielën janë konfirmuar 501 qytetarë pozitivë me koronavirus, një tjetër shifër rekord. Situata më e rënduar veçse në Tiranë, paraqitet edhe në Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës. “Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1942 testime, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 501 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: Rastet sipas shpërndarjes gjeografike: 219 raste në Tiranë, 33 raste në Elbasan, 32 raste në Korçë, 30 raste në Gjirokastër, 27 raste në Vlorë, 24 raste në Durrës, 16 raste në Krujë dhe Lezhë, 13 raste në Fier, Gramsh dhe Kuçovë, 10 raste në Lushnjë, 9 raste në Kurbin, 7 raste në Mat dhe Librazhd,6 raste në Devoll, 4 raste në Mallakastër dhe Tepelenë, 3 raste në Mirditë, Sarandë, Delvinë, Malësi e Madhe,2 raste në Shkodër, 1 rast në Bulqizë, Kukës, Kavajë, Pukë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 90 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 12,092 që nga fillimi i epidemisë”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.
NË SPITAL
Në 24 orët e kaluara janë raportuar 2 humbje jete si pasojë e COVID-19, ndërkohë që vijon të përkeqësohet situata në spitale ku numri i të shtruarve ka shkuar në 374. Hapja e spitalit COVID 3 duket se nuk i dha zgjidhje mbingarkesës së krijuar në Infektiv dhe në Spitalin Shefqet Ndroqi, të cilat vijojnë të përballen me fluks të shtuar pacientësh. “Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 374 pacientë, 13 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 2 qytetarë me SarsCov2 pozitivë në spitalet COVID: një 59-vjeçare nga Lushnja dhe një 73-vjeçar nga Tirana, me sëmundje bashkëshoqëruese”, ka bërë me dije ministria. Spitali COVID 3 apo ish-kirurgjitë në QSUT, u hap gati një javë më parë, por mësohet se kjo strukturë funksionin vetëm me 25 për qind të kapacitetit. Në këto kushte, spitali mund të shërbejë vetëm si “patericë” për dy spitalet e tjera që prej muajsh përballen me mbingarkesë.