Mjeku Andi Koraqi është i mendimit që vendi nuk duhet futur në izolim total, por duhet të reduktohen oraret në ambientet ku transmetueshmëria e virusit është më e madhe. Sipas mjekut, nuk duhet të shkohet në asnjë mënyrë në mbushjen e të gjitha kapaciteteve spitalore pasi sistemi kalon në kolaps.
“Sigurisht masat vijnë duke u përshkallëzuar dhe janë indikatorët që e tregojnë se çfarë masash duhet të merrem. Nuk duhet të shkojmë në ezaurimin total të kapaciteteve spitalore, do të ishte një kolaps të sistemit shëndetësor. Masat e karantinimit shkojnë drejt kësaj për të lehtësuar sistemin shëndetësor.
Mendoj që për momentin nuk është e nevojshme një karantinim total, mjafton të bëhet një reduktim i orareve të bareve dhe restoranteve ose mbyllje e klubeve pasi është gjetur se transmetimi më i madh ndodh në këto nivele”, tha Koraqi.
I pyetur se kur mund të qetësohet situata nga virusi, mjeku tha: “Është shumë e vështirë ky parashikim megjithatë disa kohë pas daljes së vaksinës ose gjetjes së një antivirali që vepron në mënyrë të drejtpërdrejtë për Covid-19.”