MENU
klinika

Trajneri i Kombëtares, Edy Reja

“Do të eksperimentoj ndaj Kosovës”

10.11.2020 - 13:28

Në prag të ndeshjes së nesërme me Kosovën (16:00 në Elbasan Arena”), trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, dhe portieri i skuadrës kuqezi Etrit Berisha kanë dalë në orën 13:00 në konferencën për shtyp. Tekniku kuqezi ka folur në lidhje me gjendjen e skuadrës, mungesat, objektivat dhe bilancin.

Mungesat – “Do të jetë një ndeshje e ndjerë. E kam të qartë që tifozët e ndjejnë shumë. Unë do bëj disa eksperimente para dy ndeshjeve vendimtare. Shpresoj që lojtarët të jenë të motivuar. Për sa i përket, grupit që do kem, Broja nuk do jetë i gatshëm për probleme fizike, Gjasula vjen me vonesë.

Hoxhallari dhe Ismajlgeci do të jenë lojtarët e rinj dhe do të kem mundësinë t’i përdor në fushë. Edhe Çepele ka cilësi dhe mund të jetë nga lojtarët që mund të luajnë nesër. Sot kemi stërvitjen e radhës dhe nesër mund të kem një ide të qartë për skemën dhe formacionin.

Lenjani ka pasur probleme. Trashi shpresoja që të vinte, por nuk ishte e mundur. Ismajlgeci ka pasur probleme fizike, por kam folur dhe më ka thënë se është i gatshëm. Kam pasur mungesa dhe për këtë arsye mora dy lojtarët e Tiranës.

Kumbulla – “Ne kemi pasur kontakte me ASL të Romës për Kumbullën. Kemi ofruar çdo mundësi për të siguruar të marrim lojtarin, kemi gati edhe avionin privat. Presim një përgjigje deri të shtunë. Shpresoj ta kemi gati për ndeshjet e radhës.

Ai është stërvitur me skuadrën e Romës dhe duam ta kemi. Megjithatë, së fundmi kanë rezultuar pozitiv me koronavirus edhe 3 lojtarë të Romës dhe kjo vështirëson gjithçka.”

Balliu dhe Binaku – “Është trajneri që bën zgjedhjet. Ne kemi program, i ndjekim këta të dy, por në listën e madhe kemi 50 lojtarë dhe nuk është se nuk jam, i informuar. Ata aty janë dhe pas përfundimit të ndeshjeve do i shikoj. Unë jam trajneri dhe i bëj unë zgjedhjet, kam vendosur këta tani për tani, më vonë të shikojmë.”

Liga e Kombeve – “Është e rëndësishme të bëjmë këto dy ndeshje në mënyrën më të mirë, e kemi për detyrë t’i fitojmë të dyja. Ishim favoritë dher mbetemi të tillë për të fituar grupin. Duhet të bëjmë maksimumin për të arritur objektivin.

Na shkoi keq në ndeshjen e humbur në shtëpi dhe nuk fituam jashtë. Duhet të shfrytëzojmë ndeshjet në shtëpi. Nëse mund të arrihet që të marrim me meritë 6 pikë, për të fituar dy ndeshjet, ky është objektivi. Pastaj do të bëjmë bilancin e asaj që kemi bërë”.

Miqësorja – “Nëse do të mund të evitoja këtë ndeshje do ta bëja, por ishte e vetmja mundësi për të bërë miqësore, meqë UEFA na detyron të bëjmë miqësore. Meqë hoqëm dorë nga Armenia, ishim të detyruar. Ky nuk ishte momenti ideal për për ta bërë, meqë janë vëllezërit tanë.

Por duhet luajtur dhe dhe do të gjejmë motivim për të bërë një ndeshje të mirë. Edhe të rinjtë që nuk kanë pasur mundësinë për të luajtur këtë vit do të kenë stimul për të treguar që e meritojnë. Padyshim përkushtimin do ta vënë të gjithë në fushë, uroj të bëjnë mirë dhe të tregojnë se do të jenë të vlefshëm edhe për të ardhmen”, – u shpreh Reja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN