Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një intervistë për gazetaren Nisida Tufa, i pyetur se si e gjykon situatën e gjykimeve në Hagë të ish-luftëtarëve të UÇK-së, dhe pse kjo çështje u rihap pikërisht tani, shprehet se lidershipi i Kosovës nuk duhet të ketë frikë.
Ai thotë se e vërteta është me ta dhe se e vërteta është se Kosova ishte viktima, sulmin e Bëri Serbia e në këtë luftë Kosovës i është dashur të mbrohet.
Haradinaj shtoi se me këtë akuzë të ngritur ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, Gjykata Speciale po tregon se është selektive.
Pyetje: Pothuajse gjithë lidershipi politik i Kosovës është në Hagë. Pse kjo situatë tani me Kosovën, a nuk ishin mbyllur këto çështje?
Haradinaj: Është shumë me rëndësi të shpjegojmë se e drejta e Kosovës, e vërteta e Kosovës është e tillë që s’ka me iu frikësu, as me u shqetësu prej gjyqit e prej Gjykatës, sepse ne kemi qenë me të drejtën, e vërteta është në anën tonë, si viktimë, e lufta për me e mbrojt veten nga një regjim i atëhershëm i Millosheviçit. Tani është një situatë absurde, që kjo gjykatë nuk gjykon krimet, por kryesit nga UÇK, ose identifikim vetëm me njerëzit e UCK dhe njëkohësisht është jashtë vendit, me ligje të Kosovës, por jashtë vendit. Pra është një shprehje mosbesimi ndaj Kosovës e sistemit tonë gjyqësor.