Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg Rexhep Rrajën.
Djali i deputetit ka apeluar masën e arrestit me burg duke kërkuar lirinë në Apel, ndërsa seanca ka nisur në orën 10:30. Rexhep Rraja nuk mori pjesë në seancë dhe përfaqësohet nga avokati i tij.
Trupa gjykuese kryesohet nga gjyqtarja Shpresa Beçaj ndërsa anëtarët janë Ridvan Hado dhe Zegjine Sollaku.
Teksa parashtronte provat në favor të klientit të tij, Ilir Murati, avokati mbrojtës i Rrajas pohoi se denoncimi nga Xhisiela Maloku është bërë për motive xhelozie dhe se nuk ka të bëjë fare me përndjekje. Sipas Muratit, vepra penale e përndjekjes nuk qëndron.
“Vepra penale e përndjekjes nuk qëndron. Të shfuqizohet vendimi i gjykatës së Krujës. Të bëhet lirimi i klientit tim Rexhep Rraja. Xhisiela e ka bërë kallëzimin për xhelozi”, tha Murati.
Rexhep Rraja u arrestua më 30 shtator, pas urdhrit të Gjykatës së Krujës e cila dha ‘Arrest me burg, në mungesë’ për të riun e akuzuar për ‘përndjekjen’ e ish-të dashurës së tij Xhiseila Malokut.
Ndërkohë më 2 tetor, ai doli para Gjykatës në Krujë për t’u njohur me masën e sigurisë.