MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Kancelari i vjetër, manovra e Napoleonit dhe Elbasani alla Palermo

28.11.2020 - 15:07

        E çfarë frike keni, për të ardhmen e Gjermanisë?

Kancelari i vjetër është 96 vjeç dhe disa më muaj më vonë, vdes. Ndoshta, më i dashuri për të gjitha kohërat, për gjermanët, Shmidti thith thellë cigaren, që vetëm atij mund t’ia lënë në studiot e mëdha televizive dhe thotë, thjesht: “Eh… është në qendër të Evropës, Gjermania, ndaj ia kam frikën, lakmisë së të tjerëve për të. Nuk të lë njeri, të mbash qendrën, për një kohë të gjatë…”

Më vjen në mend koncepti i qendrës, kur vij vërdallë Saarbryken-it, si refugjat.

Qyteti është periferi e Gjermanisë dhe mbahet me minierat, për të cilat, gjermanë e francezë u grinë deri në kacafytje botërore. Landin, që përfaqësohet prej tij, e mban prej kohësh me mjeshtërinë e tij, Lafonteni, i cili, ka qenë dhe kandidat për kancelar dhe ca kohë, dhe shefi i socialdemokratëve gjermanë. Merr borxhe pa fund, në qendër. Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, minierat nuk kanë vlerë. Qymyri dhe çeliku vijnë nga Ukrahina, më lirë dhe ato në shumicë, shndërrohen në muze.

Gjermanët e gjejnë gjenialisht, zgjidhjen. Ai është vërtet në periferi, por si koncept gjeografik, në një Evropë pa luftë, ai është në qendër të saj. Pozicion që, për shkak të konflikteve, ia kishte marrë Luksemburgu, që ndoshta dhe për këtë shkak, të mëdhenjtë e kësaj bote i kishin dhënë titullin “shtet”, çka e kishte lulëzuar pa fund. Me tren nga Sarbrykeni, për dy-tri orë, kap pesë a gjashtë kryeqytete të Europës.

Në Sarlandë apo qendrën e landit, gjendet muzeu ku sheh se ka lindur një nga mareshallët më të ndritur të Napoleonit, mareshall Nej… E shikoj fytyrën e tij dhe konceptet për qendrën, më vijnë prapë në mend.  Mbetur pa ushtri dhe vetëm me djelmosha 14 a 15-vjeçarë, Napoleonit të madh i duhet të zmbrapsë ushtritë e koalicionit të të gjithë Evropës, që po mësyn Francën. I vendos ushtarët e tij, fiks në qendër, ku bashkohen pesë lumenj të vendit. Kjo, për të qenë menjëherë i gatshëm që t’u dalë përpara armiqve në drejtimet nga vijnë.

Të vijnë në mend shpejt, nga këto punët e qendrës, kur dëgjon se kanë vendosur se, në Elbasan do të ndërtojnë bashkinë e re, në formë kulle…

Po, Elbasani është qendër dhe fare afër, ku Samiu i Madh, mendonte se do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë.  Sulltan Mehmeti e përforcoi me kala, pas humbjes në Krujë, me Skënderbeun, për të furnizuar ushtrinë, duke e pasur parasysh dhe që ishte qendër e vendit. E ndoshta e përjetësoi njëherë e mirë, si vend tregtar.

Thua, rron mirë dhe vërtet e kanë idenë, se është qendër dhe duhet shfrytëzuar? Kam frikë se jo dhe në këtë pikë, duket se jemi dhe më prapa se Hoxha, që me gjithë çmendurinë e tij në ndërtimin e ekonomisë, e kishte më të qartë se ç’do të thoshte qendër e vendit. Kishte ndërtuar aty metalurgjinë, fabrikën e çimentos dhe mbante rezervat e shtetit. Duhej të ruante për gjithë këto mallra, konceptin e qendrës, pra barazlargësinë e transportit nga të gjitha pikat e vendit.

Mbarimi i Luftës së Ftohtë, ashtu si dhe minierave të Sarbrykenit, i dha fund edhe metalurgjisë, edhe çimentos, edhe rezervave të shtetit, si koncepte. Po çfarë ngeli?

Ky qytet tipik tregtar, që nga kohët e largëta dhe nga rrethet më të vogla të Shqipërisë, në kohën e metalurgjisë e çimentos, u fry me një forcë punëtore të ardhur nga gjithë vendi, ndoshta në masën 30 a 40 mijë njerëz. Sa u bënë këta dyzet vjet, në këtë rreth të vogël, që duke pasur natyrë tregtare, kishte pak tokë pronë për vete, pale për të ardhurit. Ndoshta u shumuan në rrëmpallën e tranzicionit, në 100 mijë të tjerë?

Dhe natyrisht që vjen pyetja fatale. Si rrojnë këta njerëz e çfarë resursesh kanë?

Nuk e di a ku vajtur mendja atyre që e kanë qeverisur Shqipërinë, këto tridhjetë vjet, pas 1990-ës, por për vete, nuk e kam të vështirë të marr përgjigje.

Elbasani i tanishëm, nuk ka asnjë arsye të mos i ngjajë Palermos. Duam apo nuk duam, të tëra ato që thashë më lart, kanë atë pasojën e qartë. Kjo shtesë e pafundme dhe jo natyrale e Elbasanit, do të përpiqej të mbijetonte me çdo mënyrë. Dhe natyrisht, të vjen të qeshësh e të qash kur mendon se, kjo punë mund të rregullohet me një rend të fortë, etj., etj. Asnjë qeveri, nuk do ta arrijë këtë. Po ç’të bëjmë? Nuk e di…

Gjithnjë, kur flas për Korridorin e tetë, them thjesht, se Shqipëria duhet të lidhë “Rripin e pantallonave”. Dhe “Tokëza” e këtij rripi, është Elbasani…

Përfytyroj, në atë romantizimin tim budalla, që rrugët e ardhura nga portet Durrës e Vlorë, kryqëzohen si dikur, afër Elbasanit, për të ringjallur Egnatian. Përfytyroj akoma më keq. Aty në rrethrrotullimin e Rogozhinës, rri përmendorja e Konstandinit të Madh të Ilirisë, që tregon me dorë botën që krijoi Konstandinopojën e madhe.

Është e kotë që ëndërroj. Korridorin e tetë, nuk do ta bëjnë kurrë. Pas Elbasanit, do të mbeten prapë ca qytete që mund të ishin xhevahirët që rrethonin atë, Librazhdi e Përrenjasi. Po e kam kot. Ata do të mbeten e ndoshta, do të lihen si qytetet më të shëmtuara të Evropës a globit, për t’u treguar të tjerëve mjerimin tonë mendor.

Korridorin, nuk e bëjmë dot.  A ndoshta, nuk na lënë të tjerët. Po qendrën e Shqipërisë, qendrën e saj, duhet ta bëjmë. Me shumë shkolla, si Sarbrykeni që i shndërroi nga më të mirat e Evropës, a me çfarë t’u dojë zemra.

Po nuk e bëmë, nuk na mbetet të shohim çdo ditë, sesi kryeqendra gjeografike e Shqipërisë do të mbajë era Palermo. Sot dhe nesër. E kjo, duam apo nuk duam ne.