Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se qeveria ka ndërmarrë disa reforma në 5 vitet e fundit në lidhje me problemet e mirëqenies dhe uljen e numrit të familjeve të varfra.
Gjatë fjalës së tij me rastin e ditës Botërore kundër varfërisë, Ruci tha se është ulur informaliteti dhe se duhet të bëhet më shumë që varfëria të ulet përmes zhvillimit dhe shfrytëzimit të pasurisë kombëtare.
“Të reflektojmë dhe të rrisim mbështetjen e Kuvendit për përmirësimin e legjislacionit për këto fusha. Qeveria ka ndërmarrë disa reforma në 5 vitet e fundit në lidhje me problemet e mirëqenies. 200 mijë kontribuues janë shtuar në skemën e pensionit duke luftuar informalitetin. Është e nevojshme që të punojmë që varfëria të ulet përmes zhvillimit dhe shfrytëzimit të pasurisë kombëtare.
Problemi i vendit tonë nuk janë të pasurit siç interpretohet, por problemi për ne janë të varfrit. Ne nuk synojmë të pakësojmë numrin e të pasurve, por të pakësojmë numrin e të varfërve. Duhet më shumë mbështetje për fermerët të cilët duhet të paguajnë edhe kontributet. 400 mijë fermerë janë futur në skemën e pensionit. Të shfrytëzohet më mirë mundësitë në fshat”- tha Ruci.