MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si të veprojmë kur kemi ethe?

07.12.2020 - 11:16

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si të veprojmë kur kemi ethe?

Mjeku: Ethja është rritja e temperaturës së trupit mbi kufijtë më të lartë të variacioneve ditore fiziologjike, e cila në njerëzit e shëndoshë varion nga 36.1 °C- 37.2 °C. Ndërkohë që ethe quhet kur temperatura arrin mbi 37.4 °C.

Ethet ndahen në këto lloje:

Ethja intermitente në të cilën temperatura ulet në normale gjatë ditës.
Ethja septike, në rastet kur luhatja midis pikut më të lartë dhe atij më të ulët është tepër e madhe.
Ethja remitente, temperatura ulet çdo ditë por nuk arrin në normale.
Ethja kontinua, temperatura qëndron e lartë dhe pa luhatje të dukshme ditore.
Ethja recidivuese, vihen re periudha të shkurtra ethesh nëpërmjet një ose disa ditëve me temperaturë normale.
Ethet mund t’i klasifikojmë dhe sipas kohëzgjatjes:

Ethe akute/ e shpejtë dhe
Ethe e zgjatur ose persistente, që është shfaqur prej mëse 20 ditësh

Kriteret e ethes kur temperatura matet në gojë janë:

Ethe subfebrile, 37.3 ~ 38 ℃
Ethe e mesme, 38.1 ~ 39 ℃
Ethe e lartë, 39.1 ~ 41 ℃
Ethe malinje, 41 ℃ më lart
Ekzaminimet e të sëmurit me temperaturë

Matja e temperaturës duhet bërë në distancë nga ushqyerja, pas një pushimi prej gjysmë ore. Bëhet fjalë për ethe nëse temperatura është mbi 37.3 °C në mëngjes dhe 37.5 °C në darkë.

Anamneza analizon kohën e fillimit, mënyrën e fillimit të ethes, ecurinë e kurbës së temperaturës, mjekimin që ka përdorur (llojin e medikamentit dhe dozën e tij).

Duhet saktësuar profesioni i pacientit, veset e tij, të dhënat paraprake personale dhe familjare, vaksinat që ka bërë, udhëtimet e fundit, kontaktet etj.

Të pyetet për shenjat shoqëruese të ethes (frisonet, dhimbja e fortë e kokës, dhimbja e muskujve, kyçeve, djersitja etj).

Ekzaminimi klinik duhet të jetë i plotë (lëkura dhe indi subkutan, mukozat hepari, lieni, ganglionet linfatike) dhe sistematik për çdo aparat.

Në përfundim të këtij ekzaminimi është shumë e rëndësishme të përcaktohet kohëzgjatja e temperaturës, toleranca ndaj saj, gjendja e dehidratimit, ndryshimet e vetëdijes, takikardi mbi 120/min, frekuenca respiratore mbi 24/min etj. Të gjitha këto shenja detyrojnë shtrimin në spital dhe mjekimin simptomatik e etiologjik.

Përcaktimi patologjik i ethes është i diskutueshëm.

Ethja është siptomë dhe jo sëmundje. Si simptomë ethja ka qenë dhe shpesh është konsideruar si një objektiv që duhet luftuar pavarësisht nga shkaqet që kanë çuar në aksesin febril.

Konsiderata të tjera mbështesin rëndësinë mbrojtëse të ethes ndaj agjentëve patogjenë invazivë.

Kërkimet e fundit e kanë konsideruar si të pajustifikuar përjashtimin e ethes në veçanti kur ajo shfaqet në kuadrin e një infeksioni akut, qoftë për rëndësinë e saj si tregues i rëndësishëm klinik, por dhe për rolin e mundshëm mbrojtës.

Teoritë e reja rekomandojnë dhënien e antipiretikëve në temperaturat mbi 38.5 °C.

Trajtimi antipiretik do të ishte i pranueshëm dhe i justifikuar në personat me imunitete të kompromentuar ose në rastet kur ethja mund të bëhet shkak i shfaqjeve të rënda klinike (konvulsione etj.).

Shkaktarët

Mund të shkaktohen nga infeksionet (ato të rrugëve të sipërme respiratore, otitet, fruthi, etj), temperatura e lartë.

Konvulsionet (ngërçet) manifestohen sidomos gjatë rritjes së menjëhershme të temperaturës dhe më rrallë gjatë zbritjes.

Nuk ka varësi propocionale midis rritjes së temperaturës dhe krizave më të shpeshta të konvulsioneve.

Në temperaturat mbi 40°C krizat janë një përjashtim, kur nuk janë pasojë e një sëmundje trunore. Konvulsionet toniko-klonike janë identik me ato të epilepsisë dhe zakonisht zgjasin me pak se 15 minuta.

Kur koha është më >15 minuta ekziston mundësia e meningitit dhe encefalitit (inflamacion i trurit­).

Menaxhimi i ethes

Mjekimi i ethes është simptomatik. Kur temperatura është mbi 38.5 °C kemi mjekim medikamentoz, me anë të antipiretikëve që janë paracetamol, ibuprofen, aspirinë.

Metodat fizike, sidomos tek fëmijët, lagështimi i atmosferës, heqja e mbulesave të tepërta, banja me ujë të vakët, kompresa në qafë dhe në pjesën e brendshme të kofshëve, si dhe veshja e fëmijës me çorape të lagura me uthull. Konvulsionet febrile (ngërçet gjatë temperaturës) takohen me shpesh në moshën pediatrike dhe manifestohet me temperaturë shumë të lartë. Konvulsionet janë toniko-klonike, me kafshim të gjuhës, shkumë nga goja, dhe urinë.

Në rastet me meningjit i sëmuri ka rigiditete (ngrirje) të qafës dhe gjumë terminal.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN