Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë garanci Kosovës, se marrëveshja e 4 shtatorit, për normalizim ekonomik me Serbinë, e arritur në Uashington, do të zbatohet edhe pas ndërrimit të administratës amerikane.
Kështu tha të martën më 8 dhjetor, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë një konference për media.
Hoti tha se gjatë kësaj periudhe, ka pasur komunikim të rregullt me administratën aktuale të presidentit Donald Trump dhe shtoi se shpreson që bashkëpunimi do të vazhdojë edhe pas 20 janarit, kur Joe Biden do të inaugurohet si president i ri i SHBA-së.
“Unë besoj që e mira në këtë proces është që marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në nuk janë ndikuar asnjëherë se cila prej partive, demokrate apo republikane që ka qeverisur. Jam i bindur që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim. Edhe komunikimi që kemi pasur deri tash, gjatë këtyre javëve kemi marrë garanca që marrëveshja që kemi nënshkruar më 4 shtator do të vazhdojë të zbatohet pa asnjë hezitim”, u shpreh Hoti.
Më 4 shtator, në prezencë të presidentit Donald Trump, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan dokumente të ndara për normalizimin ekonomik.
Marrëveshja përfshin një sërë projektesh ekonomike, si ndërtimi i autostradës, i linjës hekurudhore dhe nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd. Në këtë marrëveshje, palët po ashtu janë pajtuar që SHBA-ja të kryejë studim fizibiliteti në Liqenin e Ujmanit me “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.
Kryeministri Hoti foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që pritet të vazhdojë në Bruksel më 10 dhjetor, në takimin ndërmjet delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë.
Hoti ripërsëriti qëndrimin se pret që ky proces të përmbyllet brenda muajsh, dhe marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke.
“Atë që e kam thënë vazhdimisht, e them edhe sot, ky është një proces i kufizuar në kohë dhe në kohë është çështje muajsh. Unë besoj që për disa muaj vijmë në fund të këtij procesi. Unë do të doja që në fund të vijmë me marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke ose do të konkludojmë se nuk mund të merremi vesh për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke”, tha kryeministri i Kosovës.
Kryeministri Hoti po ashtu u pyet për një takim të paralajmëruar të liderëve për çështjen e presidentit të ri të vendit. Ai tha se ende nuk ka datë për një datë të këtij takimi, ndërsa shtoi se liderët e vendit duhet të diskutojnë nëse kanë gatishmëri që të negociohet mbi gjetjen e një emri për president të vendit, apo të dakordohen për zgjedhje të reja.
Që prej 5 nëntorit, kur Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit.
Këtë funksion, ashtu dhe siç e obligon Kushtetuta, po e mban kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani. Por, po sipas Kushtetutës, Osmani, mund të qëndrojë në këtë pozitë deri në gjashtë muaj, përpara se të zgjidhet një president i ri.
Nëse partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nuk arrijnë që ta zgjedhin presidentin e ri, atëherë shpërndahet kuvendi dhe mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Aktualisht, vetëm partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja./REL