MENU
klinika

"Jam rrëzuar në tokë dhe ashtu i shtrirë e qëllova, pamë..."

Vrasja e Klodian Rashës/ Zbardhet dëshmia e plotë e policit në gjyq

12.12.2020 - 11:11

Gjykata e Tiranës ka zhvilluar ditën e djeshme seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj efektivit të forcave “Shqiponja”, i akuzuar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha.

Nevaldo Hajdaraj është lënë në “Arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve, ndërsa ka qenë i pranishëm në seancë. Para se të jepej vendimi, efektivi 21-vjeçar ka zgjedhur të shprehet lidhur me ngjarjen e ndodhur para Gjykatës. Ai i ka thënë se për ngjarjen ka njoftuar sallën operative për një njeri të dyshimtë duke kërkuar forca të tjera dhe se gjithçka, sipas tij ka ndodhur për 4-5 minuta.

Ndërkohë, ai është shprehur më tej se në sallë duhet të ishte familja e viktimës me qëllim që t’i kërkonte të falur. “Këtu duhet të ishte familja e t’i kërkoja të falur. Merrni çfarë mase të doni, unë kam vrarë një njeri. Gjithçka ka ndodhur në orën 01:09, për 4 ose 5 minuta ka qenë situata. Kam njoftuar sallën operative dhe kemi kërkuar përforcime për një njëri të dyshimtë. Kjo që ka ndodhur me mua s’do ia uroja askujt në jetë.

Jam penduar shumë”, mësohet të ketë thënë ai para Gjykatës. Akuza zyrtare e lexuar në seancën gjyqësore për policin Nevaldo Hajdaraj, është ajo e “Vrasjes së kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, e parashikuar nga neni 83 i Kodit Penal, i cili parashikon një dënim deri në shtatë vite burg.

DËSHMIA E PLOTË E EFEKTIVIT

Kemi marrë mjetin e Policisë tip “Hyundai” me targa AA 560 RU, ku drejtues mjeti dhe përgjegjës grupi ka qenë kolegu im … dhe kemi vijuar me shërbimin në sektor. Gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 01:10, në lëvizje, i kemi dhënë shenjë ndalimi një mjeti që lëvizte nga sheshi Shqiponja në drejtim të Zogut të Zi, para bar “A…” , për të bëre verifikimin e autorizimit për lëvizje. Në momentin e ndalimit të mjetit dhe daljes nga automjeti, në krahun e djathtë në trotuar, unë kam konstatuar një person që po rrinte mbështetur në një mur, diku te rrethimi i hotel “D…” më duket.

Në momentin që ai na pa, bëri një lëvizje të dyshimtë, konkretisht siç ishte i mbështetur, sapo na pa, menjëherë vazhdoi të lëvizte me hap. Unë i bëra thirrje që të ndalonte, duke i thënë “Policia për verifikim”, konkretisht për ta verifikuar nëse kishte autorizim për lëvizje në atë orë dhe kur u nisa për t’iu afruar, ai filloi të vraponte duke përshkruar rrugën dhe duke kaluar mbi karrexhatë, për të dalë në krahun tjetër të rrugës “Dritan Hoxha”, me drejtim për nga ish-Shkolla e Partisë.

Unë i bëra thirrje përsëri disa herë me shprehjen “ndal Policia” dhe u nisa menjëherë në ndjekje të këtij shtetasi, duke qenë se ai nuk ndalonte vrapin, me drejtim lëvizjeje për nga rrugica e Drejtorisë së Doganave, ndërkohë që kolegu im u nis për nga krahu tjetër, konkretisht rruga në krah të “Bar O…” që të mund t’i dilte përballë dhe unë gjatë ndjekjes, vura re që ai shtetas nxori diçka nga brezi dhe po e mbante në dorë duke vrapuar dhe lëshoi një kërcënim që “mos u afro se do të qëlloj”.

Unë kam bërtitur “armë”, për t’i dhënë mundësinë kolegut ta dëgjonte që personi mund të ishte i armatosur, me aq sa unë vërejta. Në këto kushte edhe unë kam nxjerrë armën nga brezi dhe e kam mbajtur në dorë, e mbusha armën, por pa e drejtuar dhe pa e shkrepur. Shtetasi doli përsëri në rrugën “Dritan Hoxha” dhe kaloi karrexhatën, duke u drejtuar afërsisht për në zonën ku ishte që në fillim të situatës, më korrektësisht te trotuari para dyqanit “Pit Stop” dhe unë i dola përsëri mbrapa, afërsisht duhet të isha rreth 20- 25 metra larg, duke vazhduar t’i bëja thirrje “ndal Policia”, por ai u kthye dhe drejtoi dorën me sendin e dyshuar pistoletë në drejtimin tim. Në atë çast, unë jam rrëzuar në tokë dhe ashtu i shtrirë, bëra qitjen në drejtim të këmbëve të këtij shtetasi, duke pasur frikën se mos më qëllonte.

Pastaj jam ngritur në këmbë dhe ai u tremb dhe u nis të futej në një kthesë, e cila ishte në një zonë me errësirë, kohë në të cilën unë eca pak përpara dhe bëra qitjen e dytë, pra në momentin pa u futur shtetasi në kthesë. Në këtë kohë kam dëgjuar që shtetasi ka bërtitur dhe do të këtë ecur dhe pak metra dhe pastaj është rrëzuar ne tokë. Jemi afruar me kujdes së bashku dhe pamë që po rënkonte. Unë e pyeta nëse kishte marrë plumb në ndonjë vend që rrezikonte jetën, por ai nuk u përgjigj dhe kështu unë menjëherë kam njoftuar ambulancën.

Përgjatë gjithë kohës, kolegu im në funksionin e përgjegjësit, ka bërë komunikime me sallën e operative, fillimisht për forca shtesë në mbështetje dhe në vijim sipas përshkallëzimit të ngjarjes, hap pas hapi. Në momentin që ka ardhur ambulanca, shtetasi kishte shenja jete dhe është transportuar për në Spitalin e Traumës. Më pas, ne kemi ndenjur aty në vendin e ngjarjes dhe kemi pritur shërbimet për kryerjen e veprimeve.

Deklaroj se pasi kam marrë vesh emrin e shtetasit me aq sa pashë në vendngjarje, unë personalisht nuk e njoh fare këtë person, as si emër dhe as si pamje, nuk kam pasur asnjë kontakt të mëparshëm me këtë shtetas.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN