Nacionalizmi serb i vluar që mund të shihej në Malin e Zi në prag të zgjedhjeve parlamentare më 30 gusht, duhet të ketë përgjigje në një mënyrë të fortë evropiane, tha Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç.
“Ne nuk mund t’i përgjigjemi njërit-tjetrit me nacionalizëm. Mali i Zi nuk mund të mbijetojë në këtë konflikt nacionalizmash,” tha presidenti malazes, duke folur në Forumin e 10-të të sigurisë (2BS), i cili merret me çështjet e sigurisë në rajon dhe Evropë. Ai vuri në dukje se përgjigja për këtë mund të jetë vetëm evropianizimi i vendit.
Gjukanoviç tha se para zgjedhjeve të Malit të Zi, Kisha Ortodokse Serbe bëri një pjesë të rëndësishme të punës për “nacionalizmin serbomadh ” dhe për Rusinë, dhe se ajo rrezikon sovranitetin e Malit të Zi dhe shtetin civil, si kontraktor i “Serbizimit” të Malit të Zi. Agjencitë e inteligjencës ruse ishin gjithashtu të përfshira në të gjitha këto ngjarje, pretendoi Gjukanoviç.
Ai gjithashtu u tha partnerëve të NATO-s se nëse nuk mbrohen vlerat Euro-Atlantike, gjithçka që shihet në Malin e Zi do të shihet në të gjitha zgjedhjet në Evropë dhe Amerikë. Eshtë naiviteti të mendosh se Rusia është përqëndruar vetëm në Malin e Zi. Objektivat e saj janë Evropa dhe vlerat evropiane”, tha Gjukanoviç.
Nga ana tjetër, Zv/kryeministri malazes për politikën e sigurisë, Dritan Abazoviç tha se deri në 30 gusht, Mali i Zi ishte i vetmi vend i NATO-s që nuk kishte ndryshuar qeverinë e tij për 30 vjet.
Ai tha se të tre koalicionet në pushtet do të respektojnë marrëveshjen paszgjedhore që ata nënshkruan, e cila, ndër të tjera, parashikon vazhdimin e rrugës evropiane të Malit të Zi si një përparësi e politikës së jashtme.
Abazoviç njoftoi se kryeministri i ri malazes Zdravko Krivokapiç do të takohej me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Bruksel të martën e ardhshme.